Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg 2 rusët dhe ukrainasit që u kapën teksa tentuan të hynin në uzinën e armëve në Gramsh.

Avokatët e dy shtetasve rusë dhe atij ukrainas kanë kërkuar detyrim paraqitjeje.

Kryesuesja e trupit gjykues gjyqtarja Pajtime Fetau tha pas shqyrtimi të provave të sjella nga prokuroria u gjykua se dyshimet e akuzës janë të bazuar. Ndaj tre shtetasve u vendos masa e sigurisë arrest me burg.

Mbi dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe ukrainasin Fiodor Mihailoviç rëndojnë 2 akuza; “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

Avokati i rusit Zorin: Ka përdorur spraj se është ndjerë i kërcënuar

Demir Çiftja, avokati i shtetasit rus Mikhail Zorin, në një deklaratë për mediat pas vendimi të gjykatës tha se klienti i tij nuk e pranon këtë vendim dhe kërkon një masë më të butë.

Avokati kryesisht i caktuar nga shtetit u shpreh se ka kërkuar nga prokuroria që të njihej me materialet por nuk i janë vënë në dispozicion. Ai tha se shtetasi rus e kishte përdorur sprajin ndaj ushtarëve pasi është ndjerë i kërcënuar për momentin.

“Klienti pretendoi se i kanë dhënë deklarimet, për momentin janë sekret hetimor, do t’i ngelë hetimit kjo situatë në të ardhmen. Nuk jam në dijeni nëse kanë bashkëpunuar me autoritete shqiptare, jam avokat i caktuar nga gjykata, ai sqarimet i ka dhënë. I mbrojturi prej meje ka debatuar me dy punonjësit që kanë qenë rojë, ka përdorur një spraj me piper sepse është ndjerë i kërcënuar për momentin, kjo ka qenë ngjarja. Ne kërkuam të njiheshim me materialet, por Prokuroria i bie shkurt dhe thotë se akuzën tonë e kemi të bazuar në prova. Klienti im nuk e pranon vendimin, kërkon masë më të butë. Askush deri tani nuk më ka kontaktuar as nga ambasada ruse as nga ajo ruse për të pyetur për klientin tim”, tha ai.

“Klientit tim iu mohua gjuha zyrtare”, Visha: S’ka lidhje me shërbimet ruse

Saimir Vishaj, avokati i shtetasit ukrainas Fiodor Mihailoviç në një deklaratë për mediat pas vendimit të Gjykatës së Elbasanit që e la atë në burg, tha se klienti i tij nuk ka pasur lidhje me shërbimet ruse.

Ai e cilësoi shkelje të procedurës faktin që klienti i tij, një shtetas ukrainas u mor në pyetje në gjuhën ruse, duke iu mohuar kështu gjuha e tij zyrtare.

“Në lidhje me klientin tim që është nga Ukraina, është mohuar gjuha zyrtare e tij. Nuk mund të pyetet në gjuhën ruse, ndonëse e kupton këtë gjuhë. Në lidhje me akuzat, ju e dëgjuat edhe vetë që nga ana e policisë dështoi. Kanë ngelur vetëm dy vepra penale, goditje për shkak të detyrës dhe sigurimi i të dhënave. Nuk ka fakt penal që të bësh fotografi. I mbrojturi prej meje është shtetas ukrainas dhe nuk ka pasur lidhje shërbimet ruse”, tha avokati Vishaj.