Tregim nga Fatmir Mborja

Rrallë mund të qëllonte dimrit në Leningrad ta shihje qiellin e pastër e me diell si atë ditë janari të 1960-s. Atëhere godina jonë e Akademisë së Marinës Luftarake sapo ishte transferuar nga qendra e qytetit, në periferi pranë parkut “Pushkin”. Gjithçka ç’të zinte syri kishte ngrirë e qe shndërruar në kristal vezullues, a thua se dielli i madh e i ftohtë që rrinte varur fare ulët mbi horizont kishte dalë vetëm për këtë: t’i jepte dritë e ta bënte të shkëlqente atë peizazh fantastik. Akulli që kishte veshur kangjellat e larta dhe pemët e mëdha rreth Pallatit të Katerinës II, jepte pamjen e një bote të paimagjinueshme përrallash të magjishme. Ajri i acartë të shponte hundën e veshët si me gjilpëra të nxehta, fjalët tingëllonin çuditërisht qartë si qelq dhe fryma linte një vazhdë të bardhë që shpërbëhej dalëngadalë e binte poshtë si brymë.

Kishim bërë një copë rrugë, kur Hajriu tha (isha i sigurt se do ta thoshte), se do të qe punë me mend sikur “të ngroheshim një çikë” dhe “për t’u ngrohur” u kthyem, si zakonisht, në gastronom. Hajriu hoqi dorezat e i futi në xhep dhe, duke fërkuar duart gjithë qejf, më kujtoi se ishte radha ime për të paguar. E dija këtë edhe pa ma thënë ai, po unë ngrita supet dhe e vështrova si i zënë në faj, ashtu siç kisha bërë edhe herë të tjera. Ai u vrenjt, më mbërtheu për krahu e më shkundi mirë e mirë nja tre katër herë(ishte pesë vjet më i madh nga unë dhe peshonte mbi njëqind kile) dhe me një zë si hungërimë më tha t’i lija numrat mënjanë e të shkoja te arka. Por, unë, tashmë, isha mësuar me këtë ritual dhe s’u tunda nga vendi. Vazhdoi të më vështronte edhe për disa çaste ashtu tërë zemërim, pastaj mori frymë së thelli e, ndërsa tundte kokën, si për të qarë hallin e vetes u vu të zbërthente kapotën, duke lëshuar një lumë të sharash e ankimesh, që për mua qenë tepër të njohura, deri në renditjen dhe tonin me të cilin i shqiptonte. Ishte një histori që përsëritej vazhdimisht, falë aftësisë sime të rrallë për t’i prishur menjëherë ato para që merrja, aq sa edhe vetë habitesha se si mbetesha aq shpejt pa asnjë grosh dhe, këmbënguljes së tij për të më bërë të paguaja, qoftë edhe për një herë të vetme, ndonëse e kishte të qartë se do të dilte i humbur.

Si përfundim pimë pa u ngutur nga një çerek litroshe të shoqëruar me mortadellë dhe ai pak nga pak u qetësua, madje filloi të bënte edhe shaka. Kështu që, kur hymë në sallën e pritjes së stacionit të trenit, ishim në formë që të dy.

Salla ishte krejt bosh, ora e madhe e murit tregonte dhjetë e një çerek. Deri sa të vinte elektriku i radhës duheshin akoma dhe trembëdhjetë minuta dhe ne shkuam drejt stolave për t’u ulur. Vetëm atëherë i vumë re ato të dyja tek rrinin pranë njërës prej kolonave përgjatë dritareve e na vështronin, por qe e pamundur ta përcaktoje nëse qenë vajza, apo gra të moshuara, sepse veç këpucëve dhe jakave të ngritura të palltove dimërore qenë mbështjellë deri te sytë me ca shalle të mëdhenj leshi të thurur me shtiza. E morëm me mend se duhet të qenë vajza vetëm pas pak, kur, ndërsa afroheshim, i dëgjuam t’i pëshpëritnin diçka njëra tjetrës i dalluam sytë, një palë bojë qielli e një palë gri, që nga mënyra se si shkëlqenin nuk mund të qenë sy të moshuarash. U afruam e i përshëndetëm gjithë mirësjellje, por ato vazhduan të çuçurisnin të shpenguara e nuk u përgjigjën, ndonëse vazhdonin të na shikonin pa u ndrojtur me ato sytë e bukur që shkreptinin nga shkëndijat e gazit. “Çfarë shëmtirash!” – tha Hajriu si me zë të ulët, por që mund të dëgjohej fare shkoqur edhe dhjetëra metra më tej, ndërsa po uleshim në stolin përballë tyre. “E ke gabim” – ia ktheva unë – “janë që të dyja të mrekullueshme.” – megjithëse nuk isha aspak i sigurt në qe vërtet kështu, apo jo, por në fund të fundit ky ishte vetëm një kompliment dhe komplimenti nuk gjykohet për vërtetësi, sidomos kur i drejtohet një femre dhe duke i treguar vajzën me sytë gri, e pyeta: “A ke parë ndonjëherë sy të tillë?”

“Mua për vete më pëlqejnë sytë bojë qielli” – vërejti ai rëndë, rëndë dhe, duke u përkulur pak përpara si të donte t’i studionte më nga afër, shtoi: “Ama më parë dua ta di se ç’surrati i përkasin.”

Ato të dyja shkëmbyen nga një vështrim dhe prapë qeshën. Pastaj ajo me sytë gri diç i pëshpëriti te veshi sykaltrës, që pasi uli shallin nën buzë, me një pamje serioze, pyeti: “Ku po shkoni djema?”

“Të gjejmë fatin” – iu përgjigj Hajriu, po ashtu me një pamje serioze.

“Atëherë hajdeni me ne në Pavllovsk dhe mund ta gjeni” – tha ajo.

“Kaq shpejt?”

“E pse jo? Fatit s’i dihet kurrë si e kur vjen.”

“Çfarë ka në Pavllovski?” – pyeta unë.

“Festë, festa e dimrit” – tha ajo me sytë gri, duke liruar pak shallin dhe s’di ta them se si më vështroi.

“Do të jetë shumë bukur.”

“Nuk mundemi. – tha Hajriu – Ja që s’desh fati të kishim të njëjtin drejtim.”

“S’ke ç’i bën.” – tha sykaltra – “Mbase takohemi njëherë tjetër. Dikur vija shpesh në shkollën tuaj për vallëzim.”

“Mendohuni edhe njëherë djema!” – tha ajo me sytë gri, me një zë gati lutës dhe përsëri se si më vështroi. – “Nuk do të pendoheni.”

Për një çast u lëkunda dhe për pak sa s’i thashë se unë për vete s’kisha asnjë kundërshtim, ngaqë, ç’është e vërteta, akoma nuk e kisha vendosur përfundimisht se ku do të shkoja, por, droja se mos vetëm më qe dukur ashtu dhe se ata sy mund t’i përkisnin një fytyre që më pas mund të më zhgënjente, më bënë të përmbahesha.

“Sot nuk mundemi,- i thashë – vërtetë nuk mundemi. Na presin diku tjetër.”

“Po më vjen shumë keq – tha ajo me një psherëtimë të lehtë a, ndoshta, m’u duk mua ashtu. – Do të kalonim një ditë të gëzueshme.”

“Edhe mua më vjen shumë keq – i thashë – aq më tepër që për dy sy të tillë do të isha gati të shkoja në fund të botës” – dhe i buzëqesha me gjithë shpirt, pale të ishte edhe e shëmtuar. Jashtë u dëgjua boria e trenit që po hynte në stacion dhe ne u ngritëm e u thamë “Mirupafshim vajza!” dhe ato na përshëndetën me dorë.

Ishte një takim krejt i rastit të cilin e harrova shumë shpejt e s’do ta kisha sjellë prap ndërmend, nëse gati dy javë më pas, një të shtunë, do të kisha dalë pak më shpejt nga salla e vallëzimit.

Sapo kishte mbaruar një konkurrim me çmim për këngëtarin më të mirë amator, një nga ato numrat që futeshin për variacion në pushimet midis vallëzimeve dhe salla vazhdonte të duartrokiste fituesin, kur drejtuesi i mbrëmjes iu afrua mikrofonit dhe njoftoi se vallëzimi i ardhshëm ishte i damave. Isha djegur deri atëherë dy herë radhazi nga këto vallëzimet e damave, duke u bërë pre e ca vajzave nga konvikti i teknikumit të hekurudhave, të cilat sikur e kishin bërë me fjalë të mos më ndaheshin dhe që s’dinin të bisedonin për gjë tjetër, veç temave profesionale, a thua se kishin ardhur atje për të përsëritur mësimet. Megjithatë, do t’ua kisha falur edhe këtë po të kishin qenë disi më simpatike, por, mesa dukej, tek i krijonte i madhi Zot, nuk kishte qenë fort në humor dhe s’e kishte çarë shumë kokën ç’po sajonte andej thellë nga provincat. E meqë edhe vetë nuk isha aspak në humor, thashë se në vend që të rrija ende atje e të pësoja po atë fat edhe një herë tjetër, do bëja më mirë të dilja, aq më tepër që më qe tekur për edhe për duhan. Ishte me të vërtetë një ditë e mbrapshtë si e sajuar enkas që gjithçka të shkojë ters e që kishte zënë fill që orën e parë të mësimit, kur pedagogu i vizatimit teknik, një kapter i rangut të parë, i cili nuk vishej kurrë civil, ndonëse po kapte të shtatëdhjetat dhe kishte dalë prej kohësh në lirim, gjithë mirësjellje, por në mënyrë të vendosur më ktheu për herë të dytë detyrën e fundit dhe, duke më thënë buzagaz se vajzat mund të prisnin, pasi dy ditë më shumë s’u prishnin punë fare, më caktoi si afat të dorëzimit ditën e hënë. Për këtë shkak u detyrova të punoja pa ngritur kokën nga tavolina deri aty nga ora tetë e mbrëmjes e do të më duhej të punoja edhe të nesërmen, humba një fundjavë të shumëpritur në daçën e një të njohure dhe përfundova në klubin e shkollës, ku tersllëku i mëngjesit vazhdoi të më ndiqte këmba – këmbës. Nxora një cigare dhe, duke e shtypur me gishtërinj, u nisa të dilja për të zbritur në sallën e duhanit dhe, do të kisha arritur të dilja me kohë, sikur mu pranë derës të mos më ndalonte, s’mbaj mend përse, njëri nga shokët. Pikërisht në këtë kohë filloi të luante orkestra dhe papritur u gjenda sërish i zënë rob, por kësaj radhe, si për ngushëllim në ca duar që ia vlenin, gjë që e vura re me vështrimin e parë e më bëri të merrja frymë i lehtësuar. Ishte një fytyrë e re që s’ma kishte zënë syri më parë në klubin tonë, një nga ata meteorët e ndritshëm që kalonin herë pas here përmes tij, pa të cilët nuk do të kishte as joshje e as freski. Një fytyrë e pastër thuajse fëmije e mbushur gjithë dritë nga dy sy të mëdhenj ngjyrë gri, vezullues si të spërkatur me argjend. U futëm në turmën e vallëzuesve dhe unë i hodha krahun rreth belit dhe zumë të rrëshqisnim ngadalë mbi parket, mirëpo ja që s’po gjeja dot dy fjalë për të qenë, sa për të hapur bisedën. Heshtja po fillonte të bëhej ne bezdisshme dhe më vinte inat, sepse s’e kisha pasur kurrë të vështirë për t’i gjetur ato dy fjalë, ndërsa vështrimi ngacmues e qesëndisës i syve të saj pyeste: “Mos je gjë memec?”.

Nuk më kishte pëlqyer kurrë të flisja si të kisha përpara një të arrestuar, të cilit po i merrja gjeneralitetet: “Si të quajnë?”, “Ku banon?”, “Ç’punë bën?”, aq banale, sidomos kur i drejtohen një femre, me të cilën po vallëzon për herë të parë dhe, aq të kota në një takim, që, ndoshta, nuk do të zgjaste më shumë se një natë. Ato do të vinin vetiu më pas, nëse njohja do të vazhdonte dhe, me këtë rast, mund të kishin vërtetë një kuptim, por unë deri atëherë nuk isha lidhur për shumë kohë me një vajzë dhe nuk pyesja për asgjë, sepse s’më interesonte asgjë, veç asaj që të më tërhiqte si femër e që gjithçka të shkonte si në një lojë zbavitëse. S’di dhe sa kohë do të vazhdoja të vallëzoja ashtu gjuhëlidhur, kur ajo, me kokën lëshuar pak mënjanë e me një buzëqeshje shpotitëse, më pyeti në më pëlqenin akoma sytë gri dhe a isha gati të shkoja për të në fund të botës. Nuk e kuptova aty për aty ku donte të dilte me këto fjalë dhe e vështrova i habitur, por kjo zgjati fare pak, disa çaste të numëruara, sepse menjëherë m’u kujtua se ato ishin fjalët e mia dhe e kuptova se ajo duhet të ishte vajza me sy gri e stacionit të trenit. Një valë e beftë gëzimi, si të kisha gjetur rishtas diçka tepër të çmuar, më mbushi plot e përplot. E shtrëngova fort pas vetes dhe ndjeva në faqe prekjen e ngrohtë të frymës së saj dhe, duke buzëqeshur, i thashë se ishte tamam ashtu, madje isha gati të shkoja edhe përtej fundit të botës, veç kisha frikë se mos grisja këpucët. Ajo qeshi me një zë të kthjellët e tingëllues që të vinte mirë ta dëgjoje dhe nuk iu shmang shtrëngimit tim. Përmes gazit, ashtu me kokën lëshuar mënjanë, tha se, meqë problem ishin vetëm këpucët, këtej e tutje mund të flinte e qetë. E largova pak nga vetja dhe e vështrova. Më erdhi shumë keq që atë ditë nuk shkova me të, por e humba kot me një të njohur tjetër të rastit, një vajzë me moshë të dyshimtë, që s’pushonte së foluri. Në fillim në një sallë gjysmë të zbrazur kinemaje, pastaj në një dhomë konvikti, të s’di ç’uzine a fabrike, ku qenë dhe tri vajza të tjera, të cilat, në vend që t’ia mbathnin e të na linin vetëm, gjetën rastin të organizonin një mbrëmje vallëzimi! M’u mblodhën përqark e më vunë përpara me një magnetofon të prishur, i cili, sipas tyre, kishte një defekt fare të vogël, por që mua më hëngri dy orë të mira dhe, më në fund, kur mendova se e gjeta defektin dhe e montova, doli se kishte disa pjesë të tepërta, të cilat s’dija ç’t’i bëja. Ndenja dhe pak sa për të pirë një filxhan çaj dhe u ngrita e ika me një humor të rënë, si të më kishin vjedhur. S’kisha më dëshirë për gjë tjetër, veç se të kthehesha sa më parë në konviktin e shkollës sime e të futesha në shtrat.

Ajo më pyeti përse po e vështroja ashtu dhe unë i thashë se ndjeja kënaqësi ta vështroja. I tregova se si atë ditë në stacionin e trenit gati sa nuk isha kthyer nga rruga për të shkuar me të e do të isha kthyer me siguri po të mos qe ai shall i mallkuar me të cilin qe mbështjellë e më bëri të dyshoja se kushedi se ç’fytyrë e shëmtuar mund të fshihej pas tij, ndonëse duhet ta kisha kuptuar se ata sy do ta bënin të bukur çdo fytyrë. Ajo prapë qeshi dhe tha se kushedi se si do ta kisha përfytyruar meqë isha trembur aq shumë dhe unë iu përgjigja: Të shëmtuar sa s’ka. Atëherë ajo deshi të dinte se si pikërisht, por unë ia ktheva se e kisha të vështirë t’ia përshkruaja me fjalë, veç sa për krahasim mund t’i thosha si shtriga e përrallës, madje edhe më tepër se aq.

Pastaj, kur muzika pushoi, shkuam në bufe dhe hëngrëm nga një akullore me çokollatë. Ulur përballë njëri-tjetrit në ato tavolinat e vogla për dy vetë anës mureve, herë pas here ndieja prekjen e gjurit të saj dhe sepse s’ngopesha dot duke vështruar atë fytyrë prej fëmije të gëzuar e duke dëgjuar atë zë si cicërimë bilbili në një mëngjes maji. Kur po ngriheshim më pyeti në e dija se edhe ajo shoqja e saj ishte atje. Po unë, kuptohet, nuk kisha nga ta dija këtë. Veç kësaj, një i tretë, kushdo që të qe, tani do të më dukej i tepërt dhe ju përgjigja me një “ashtu?” të papërcaktuar, por që ajo e mori për interesim dhe, duke më kapur nga dora, më tërhoqi me vete ta kërkonim. E kërkuam gjithandej, por, për fat, s’e gjetëm gjëkundi. I lehtësuar i thashë se s’kishte më kuptim ta kërkonim dhe ajo pranoi e e tha po, vërtet s’kishte më kuptim dhe shkuam përsëri të vallëzonim. Këtë herë në sallën poshtë, ku tingujt e muzikës vinin nëpërmjet altoparlantëve dhe dritat e çiftet qenë më të paktë. Ishte edhe më qetësi, ngaqë të gjithë flisnin me të pëshpëritur. E në atë gjysmerrësirë, ndërsa përkundeshim ngadalë në nën ritmin e e butë të tangos dhe ndjeja trupin e saj të shtrënguar pas timit, po mendoja se tërë prapësitë e asaj dite kishin mbetur me dhjetëra vjet larg dhe s’po më vinte më keq për asgjë, as edhe për atë fundjavë të shumëpritur e të humbur në çastin e fundit. Atëherë thashë me vete, se ajo ditë nuk kishte qenë aspak ters, sepse edhe ajo kishte pasur orën e vet të fatit të mirë, vetëm se këtë orë e kishte ruajtur për në fund, si të donte të ma bënte surprizë.

Aty nga ora një e përcolla për në shtëpi. Binte një dëborë e dendur flokë madhe dhe rrugët qenë të bardha e të shkreta krejt pa njeri. S’dëgjohej asgjë, veç krrupitjes së shurdhër të hapave tanë. Ajo më kapi me të dyja duart për krahësh dhe u shtrëngua e tëra pas meje, ndërsa dëbora shtrohej butë –butë mbi supat tanë, si të donte të na bashkonte në një… E tek filluam të ecnim ashtu ngadalë përmes asaj bukurie të pabesueshme, ndoshta po për ato arsye si edhe unë para saj, nisi të më fliste për veten dhe më tregoi se ishte studente në vitit e dytë të institutit të tekstileve, se banonte në Leningrad me prindërit me prindërit dhe dy vëllezër më të vegjël, por, që nga fundi i dhjetorit, kishte ardhur këtu në Pushkino, për t’i kaluar pushimet dimërore pranë së gjyshes, e cila jetonte e vetme dhe e donte në mënyrë të veçantë, më shumë nga të gjithë nipërit e mbesat e tjera. Megjithatë, do të ishte kthyer me kohë në shtëpi, qoftë dhe vetëm për të mos humbur ato tri orë e ca që i duheshin çdo ditë për rrugën, por ja që nuk ishte kthyer akoma, sepse, që pas atij takimi në stacionin e trenit, nuk e kuptonte as vetë përse s’mund të më hiqte nga mendja dhe kishte ardhur në çdo mbrëmje të klubit tonë, por edhe unë, edhe ai shoku im, ishim zhdukur pa nam e nishan, si të kishim qenë hije…

Rrugën e kthimit e bëra si nëpër ëndërr, i mbushur i tëri me përfytyrimin e saj të atyre minutave të fundit përpara ndarjes. Gojën pak të hapur tek më afrohej ngadalë dhe sytë e mëdhenj që më vështronin me ëmbëlsi. Krahët që ngriheshin e rrëshqitnin mbi supat e mi, duke shkundur dëborën dhe shtrëngimin e tyre rreth qafës. Puthjen e gjatë dehëse e marramendëse si një pije e fortë, shijen e së cilës e ndieja akoma mbi buzë dhe e kuptova, se atë natë do ta kisha vështirë të flija, sepse malli për të do të ma bënte të gjatë pa fund dhe kjo ishte diçka krejt e re, e pa provuar deri atëherë…