Rrugët politike të LSI-së me PD-në po shkojnë të ndara pa pika të përbashkëta edhe në Kuvendin e ardhshëm.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është fokusuar tek objektivi për ndryshime kushtetuese në Kuvend me të tjera objektiva, ndërsa sfidat e LSI janë gjetkë.

Në 17 vjetorin e themelimit të partisë, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha se janë tre çështje që do të kërkohen në Kuvend nga LSI.

“Së pari kemi një reformë të drejtësie të ngecur. Janë dhjetëra shqiptarë që janë në gjykata. Kemi sistem që është kapur dhe është vonuar ngritja e tij me qëllim.

Të tëra institucionet e drejtësisë janë bllokuar qëllimisht.

Çështja e dytë, kemi 25 prillin. Jemi dakord të gjithë që 25 prilli ka disa çështje të tmerrshme.

Kush do të përgjigjet për lëshimin e kartave të ID. Kush do të përgjigjet për paratë e rindërtimit.

Po për përdorimin e administratës. Ka dhe plot gjëra të tjera. Këto çështje të mëdha që shkatërruan zgjedhjet, a do të hetohen? Një për një. Kemi kapjen e ekonomisë. Për 2 vite kemi pasur një parlament të zotëruar nga një parti e vetme që kanë kaluar shumë koncesione. Bëhet fjalë për 3 mld euro të shpërdoruara. Në këtë moment qartësojmë mirë se cila është situata, të dalin përgjegjësit dhe të çohen para drejtësisë. Në këto tre prioritete kalon rruga për t’u kthyer në një normalitet politik. Ne bëmë një marrëveshje me 5 qershor, për reformën zgjedhore, të nesërmen marrëveshja u prish dhe u ndryshua Kushtetuta. Pa zgjidhur këto tre çështje të mëdha nuk ka marrëveshje të tjera…”, tha Vasili