Sërish bomba, raketa, viktima e shkatërrim. Militantët e Hamasit hodhën dhjetëra raketa të tjera në drejtim të Izraelit, pasi ushtria e Tel Avivit vrau komandantë të lartë të lëvizjes ekstremiste, dhe rrëzoi një godinë shumëkatëshe në Gaza. Viktimat janë të paktën 74, 67 prej të cilëve palestinezë dhe 7 izraelitë.

Kryeministri Benjamin Netanjahu i cilësoi si anarki ngjarjet e ditëve të fundit.

“Ajo që po ndodh në qytete të Izraelit ditët e fundit është e patolerueshme. Kemi parë anarkistë arabë që djegin sinagoga, makina, sulmojnë policë dhe lëndojnë qytetarë të pafajshëm. Kjo nuk tolerohet. Është anarki”, u shpreh ai.

Militantët në Gaza thanë se kishin lëshuar 130 raketa kundër Izraelit të mërkurën, në kundërpërgjigje të një sulmi ajror që shkatërroi kullën e AlSharuk, ku gjendej edhe televizioni i Al Aqsa i drejtuar nga Hamas.

Në total, 1500 raketa janë hedhur nga Gaza qe prej përshkallëzimit të dhunës në fillim të kësaj jave. Autoritetet atje thonë se përpos 67 viktimave mbi 400 persona janë plagosur në sulme.

Presidenti amerikan, Joe Biden tregoi mirëkuptim për reagimin e Izraelit. Pas një bisede me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, presidenti amerikan tha se “pritshmëria ime dhe shpresa ime është kjo të marrë fund herët e jo vonë” por Biden theksoi se “Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, kur mijëra raketa fluturojnë në territorin e tij”.

Qeveria amerikane ishte shprehur më parë e shqetësuar për shkallëzimin e situatës dhe u bëri thirrje palëve në konflikt për uljen e tensioneve.

Edhe BE ka reaguar pas ashpërsimit të situatës. Kreu i Këshillit të BE, Charles Michel pas një bisede me presidentin izraelit, Rivlin, u bëri thirrje të dyja palëve të ndalin luftimet dhe të mënjanojnë viktimat civile. “Ne jemi shumë të shqetësuar për dhunën aktuale dhe sulmet pa dallim.”

Edhe pse banorët në Gaza u paralajmëruan të evakuohen, viktimat civile mes të cilëve edhe fëmijë, nuk janë shmangur. 5 pjesëtarë të një familje u vranë në një sulm ajror përfshirë dy vëllezër të vegjël. Manifestime të dhunshme po mbahen në zona të Izraelit me popullsi të përzierë, arabe dhe hebreje. Të paktën 374  persona u arrestuan dhe 36 efektivë u plagosën.