Më shumë se në çdo ndeshje tjetër, trajneri Edi Reja i ka merituar kritikat për zgjedhjet dhe strategjinë e ndeshjes me Anglinë, ku kuqezinjtë humbën 5-0. Më tepër se golat e shumtë të pësuar, ajo që zhgënjeu ishte loja pa busull e Shqipërisë.

Dy dëmtimet e Bares dhe Kumbullës nuk mund ta justifikojnë atë paraqitje aq të dobët, një skuadër kombëtare me lojtarë që luajnë me klube dhe kampionate të njohura, nuk mund të çekuilibrohet kurrë në atë mënyrë.

Të gjithë specialistët theksuan se Reja gaboi me strategjinë për t’i luajtur ballazi Anglisë. Edhe vetë italiani e pranoi në një farë mënyre. Është një gabim thelbësor, që një trajner me shumë përvojë nuk mund t’ia lejojë vetes. Nuk mund të vësh një bast aq të rrezikshëm në një ndeshje të rëndësishme. Natyrshëm lind pyetja: A ia vlen që Shqipëria të vazhdojë me Rejën?

Duka dhe Reja

Nuk mund të mohohet kurrësesi puna e italianit. Edi Reja ka sistemuar shumë gjëra në Kombëtare, pas rrëmujës që krijoi italiani tjetër, Panuçi. Ka arritur edhe rezultate të mira, ku veçohen dy fitoret me Hungarinë, apo edhe vendi i parë në Ligën e Kombeve. Por a mjafton kjo?

Shqipëria tani ka një stof tjetër lojtarësh dhe mund të bëjë një hap të madh përpara, ndërsa luhatjet e forta me Rejën në krye, ngrenë jo pak dyshime, kur kuqezinjtë duhet të përgatiten tashmë për eliminatoret e Europianit.

Një gabim në një ndeshje, një gabim në një tjetër nga italiani 76-vjeçar. Ndoshta Shqipëria ka nevojë për një teknik më energjik, sepse në fund të fundit, edhe mosha bën të vetën…

Vendi i tretë në kualifikueset e Botërorit dhe rekordi prej 18 pikësh (pasi të mundim edhe Andorrën, sigurisht), është pa dyshim një arritje, por tani është momenti të bëjmë atë kapërcimin e madh në nivelin tonë si Kombëtare. Humbja e fundit në “Wembley” është e qartë se ka ngritur një pikëpyetje të madhe: Me Rejën, apo me dikë tjetër? Një pikëpyetje që me siguri ka trazuar mendjet e drejtuesve të FSHF-së.

Specialistët janë pro dhe ndoshta më shumë kundër vazhdimit me italianin, ndërsa tifozët nuk e pranojnë lënien në tribunë të Brojës, lojtarit më të mirë që kemi në sulm. E ardhmja e Rejës duket shumë e lëkundur në stolin kuqezi.