Louis van Gaal, holandezi i njohur i sa e sa pankinave, zbuloi se vuan nga kanceri. Ai ishte i ftuar në një emision televiziv në një televizion holandez ku i bëri me dije publikut këtë dramë të tij shëndetësore.

Kancerin, Louis van Gaal e ka në prostatë.

Sipas tij, kanceri është agresiv dhe ai i është nënshtruar 25 trajtimeve, pa e marrë vesh askush. 71-vjeçari i cili udhëhoqi “tulipanët” në fazën finale të Botërorit të Katarit, theksoi se kishte zgjedhur ta mbante të fshehtë aventurën e tij shëndetësore për të mos krijuar “peshë” shtesë në radhët e kombëtares.

“Ata nuk dinë asgjë, ata shohin që faqet e mia vezullojnë dhe thonë: “një burrë shumë i shëndetshëm’. Nuk vlen në këtë rast, por nuk ka kuptim të dukesh i shqetësuar”.

“Unë mendoj se nuk duhet t’u tregohet njerëzve se vuani nga gjëra të tilla sepse kjo mund të ndikojë në zgjedhjet dhe vendosmërinë e tyre, kështu që mendova se lojtarët e mi nuk duhet ta dinë”, tha trajneri me përvojë. “Gjatë qëndrimit tim në stolin holandez, më duhej të ikja fshehurazi jashtë natën për të shkuar në spital, pa e ditur lojtarët e mi”.

Shkak i pranisë së tij në emisionin “Humberto” të dielën është bërë një dokumentar që po xhirohet për jetën e tij. “Kam kaluar shumë sëmundje. Edhe gruaja ime kishte probleme, është pjesë e jetës. Si person besoj se pas këtyre eksperiencave bëhem më i fortë. Mendoj se kjo duhet të jetë në dokumentar.”

Pas kësaj, mesazhet e mbështetjes për Louis van Gaal u dërguan nga Manchester United dhe Barcelona, në stolin e të cilëve ai ka qenë dikur trajner.