Drejtori i përgjithshëm i gjendjes civile Bledar Doracaj në një intervistë për Fax News i ka bërë thirrje kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, të rinovojë mjetin e tij të identifikimit, i cili sipas Doracaj ka dy vite që ka skaduar.

Edhe pse nuk ka përmendur emrin e tij duket se drejtori i gjendjes civile i është referuar kryedemokratit, duke shtuar se duhet të bëhet një shembull për qytetarët.

“Përfitoj nga rasti ti bëj thirrje të parëve përfaqësuesve politikë, liderëve politikë.Në dijeninë time ka ende lider politikë pa dashur të përmend emra që ende nuk kanë përmbushur këtë detyrim ligjor dhe kanë një dokument biometrik më shumë se dy vjet të skaduar.Nëqoftëse drejtuesi politik nuk përmbush vetë i pari këto detyrime, çfarë do përcjelli tek pjesa tjetër.”

Ai po ashtu ka deklaruar se është duke u shqyrtuar mundësia për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit deri më 30 prill.

I pyetur nga gazetarja se si janë filtruar listat e zgjedhësve Bledar Doracaj nuk ka përjashtuar mundësinë që në lista mund të ndodhë të rezultojnë edhe emra të personave që kanë ndërruar jetë duke theksuar se janë familjarët ata që duhet të bëjnë çrregjistrimin nga lista e Gjendjes Civile në të tilla raste.

“Ka persona që kanë ndërruar jetë dhe janë ende prezentë në listën e zgjedhësve, por ju siguroj që numri i personave që kanë ndërruar jetë është shumë herë më i vogël se vite me parë.”, ka thënë ai.

Përsa i përket rritjes me përafërsisht 20 mijë zgjedhës krahasuar me vitin 2017,Doracaj është shprehur se kjo është një rritje normale dhe ndodh në çdo herë kur zhvillohen zgjedhjet.