Spanja ka prezantuar masa të reja kundër COVID-19, duke ndaluar udhëtimet nga 37 zona në kryeqytet dhe duke limituar grumbullimet me më shumë se 6 persona pas një rritje domethënëse të rasteve të reja.

Rreth 850 mijë persona banojnë në zonat e prekura, çka përbën rreth 13 për qind të popullsisë së Madridit.

Kufizimet e reja u prezantuan pasi të premten u regjistruan mbi 14 mijë raste, teksa Spanja po përjeton rritjen më të lartë të rasteve pozitive në Europë gjatë javëve të fundit.

Në një përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit, Madridi do të mbyllë parqet në disa zona të caktuara e teksa dyqanet e restorantet qëndrojnë të hapura, kapacitetet e tyre do të reduktohen.

Kufizimet do të vendosen në zonat që kanë mbi 1 mijë të prekur për 100 mijë banorë.

Ligji do të hyjë në fuqi nga e hëna dhe do të qëndrojë për të paktën dy javë, njoftoi qeveria spanjolle.

Rritja e numrit të rasteve në Europë

Shifrat e të infektuarve në Europë janë tashmë më të lartë nga ç‘ishin në mars, pjesërisht edhe si pasojë e rritjes së testimeve.

Dr Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH, tha se parashikohet rritje e numrit të fataliteteve nga muaji tetor.

“Po shpaloset një situatë shumë serioze përpara nesh”, tha Dr Kluge javën e shkuar.

Po ashtu edhe Franca po përballet me më shumë raste të reja pasi të premten regjistroi 13 mijë të infektuar.

Disa qytete në Francë kanë sjellë masa të reja, përfshi këtu edhe Marseja, Bordo dhe Nis.

Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar mbi 4 mijë raste në një ditë, po ashtu ka vendosur të marrë një sërë masash të reja.