Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, gjatë një interviste në emisionin “Raw Politics” foli për krisjen e marrëdhënieve me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha që çoi dhe në largimin nga partia.

Ish-ministrja e Integrimit për 7 vjet gjatë qeverisjes së PD, tha se “akt i parë tradhtie” u cilësua kërkesa për një pakt kombëtar për integrimin në Bashkimin Evropian në momentin që PD kaloi në opozitë.

“Kërkoja një pakt kombëtar për integrimin në BE dhe kërkoja që të mos bëhemi pengesë por të ishim kontributor. Ai ishte momenti i parë i tradhtisë sepse pakt kombëtar kuptohej si bashkëpunim me Edi Ramën dhe me qeverinë”, tha znj. Bregu.

Ish-deputetja e PD tregoi gjatë intervistës me Erla Mëhillin se tani nuk e gjen më emrin as si anëtare e PD.

“Unë nuk e kam as emrin më si anëtare e PD, më thanë dhe gjatë fushatës që në seksionin e partisë më dinin për të larguar dhe njëherë e mirë më kishin abandonuar dhe nuk e kisha emrin as te lista e anëtarësisë”, tha ajo.

Si momente që çuan në largimin nga PD dhe prishjen e marrëdhënieve me kryetarin e partisë, znj. Bregu veçoi zgjedhjet lokale në 2015, zgjedhjet në Dibër dhe bojkoti i

“Historia ime e distancës nuk nisi në 2017 me largimin. Nisi më parë, nisi në fushatën e zgjedhjeve lokale në 2015 kur na kërkohej që të mos dilnim se i jepnim kosto kandidatit të Tiranës që në atë kohë ishte Halim Kosova. U forcua me zgjedhjet lokale në Dibër, ku shkoi i gjithë grupi parlamentar i PD dhe unë nuk isha shkuan në Dibër. Pastaj ishin reforma në drejtësi, bojkoti i 2017 (dalja nga Parlamenti), pas 2017 nuk kam pasur asnjë kontakt”, përfundoi znj. Bregu.