Është si një fantazmë që endet përreth stadiumit. Dhe emri i tij është, sigurisht, Antonio Conte. Jo shumë kohë më parë ishte një mik, një udhëheqës. Frymëzuesi i rilindjes së Juventusit, i cili rezultoi një dominim 9-vjeçar, me 9 tituj radhazi në Serie A. Tani ai është një “armik”, një rrezik për ta lënë “Zonjën e Vjetër” jashtë Champions-it. Sepse historia ka marrë një kthesë tjetër. Vetë Conte sapo i dha fund “diktaturës” epike të bardhezinjve, duke i zbritur nga froni, duke iu rrëmbyer titullin pas 9 vitesh.

Dhe tani synon ta përfundojë punën, duke i dhënë shtyrjen fatale ish-ekipit të tij. Me konkretisht, duke e nxjerrë jashtë Champions-it, ku ai vetë e kishte sjellë përsëri me titullin në 2011-12, duke e ringjallur Juventusin pas dy vendeve të shtata radhazi. Shaka me fatin dhe kalendarin, që i vendos bardhezinjtë dhe kampionët e rinj të Italisë kundër njëri-tjetrit në javën e parafundit të kampionatit, por me perspektiva të ndryshme nga ato të fillimit të sezonit.

Të gjithë shpresuan që 90 minutat e sot do të ishin “finale” për “trengjyrëshin”, që titulli të kalonte nga ky “kryqëzim. Nga ana tjetër, Juventusi, i dalë nga kjo garë shumë më përpara, kanë parë tashmë festën e zikaltërve, që u kthyen në fron pas 11 vitesh “agjërimi”. Kështu, sfida bëhet vendimtare vetëm për ekipin e Pirlos, i cili po luan shanset e mbetura për vendin e katërt.

Për Conte dhe Interin është një mundësi për “qershinë mbi tortë”, për t’i shkelur bardhezinjtë, duke i dëbuar ata nga Europa, që ka kaq fort rëndësi. Me të gjitha pasojat që mund t’i imagjinojmë, si nga pikëpamja sportive, edhe ekonomike për “Zonjën e Vjetër”.