Nuk është aspak e qetë situata me Gianluigi Donnarumma, i cili ende nuk ka rinovuar me Milanin dhe në fund të sezonit i përfundon kontrata.

Pas konfrontimit midis ultrasve të Milanit dhe portierit kuqezi Gianluigi Donnarumma, ka reaguar dhe drejtori i zonës teknike tek Milani, Paolo Maldini nëpërmjet një interviste në mikrofonat e “ANSA”:

“Duhet theksuar njëherë e mirë se asnjë jashtë klubit nuk vendos se cili nga lojtarët do të luajnë dhe do të rinovojnë. Tifozët e Milanit që deri tani kanë qenë ekzemplar për ta mbështetur skuadrën, duhet ta kuptojnë se në këto momente lojtarët duhet të kenë qetësi dhe përqendrim për t’i përballur sa më mirë këto ndeshje që janë shumë deçizive.

Ajo që ndodhi me Donnarumma-n nuk ndihmon aspak. E përsëris edhe njëherë në mënyrë absolute profesionalizmin e të gjithë lojtarëve tanë, edhe për ata që janë në skadencë kontrate”, tha Maldini, që sakaq shton: “Nga sot çdo tratativë për rinovimet e kontratave është ngrirë deri në fundin e sezonit, për t’i lejuar skuadrës për të qenë e përqendruar në kampionat. Ndërkohë ne gjithmonë do të mbrojmë lojtarët tanë, sepse është detyra jonë.”

Çfarë ndodhi

Prej kohësh flitet se portieri ndiqet nga Juventusi, që do të provojë ta transferojë në verë. Kjo nuk ka lënë një shije të mirë te tifozët e Milanit, të cilët nuk kanë duruar dhe kanë shkuar në stërvitjen e Milanit të shtunën, para ndeshjes me Beneventon.

Sipas asaj që raportohet nga “Corriere della Sera”, ultrasit e Milanit kanë kërkuar një përballje pikërisht me Donnarumma-n, i cili e ka pranuar dhe ka shkuar për të folur me ta. Zbulohet se tifozët e kanë kërcënuar lojtarin, ku ka pasur edhe ngritje të toneve, duke i thënë që nëse nuk rinovon deri ditën kur është ndeshja me Juventusin, atëherë të mos luajë në ndeshjen me bardhezinjtë, e cila do të vendosë edhe fatet e sezonit.

Thuhet se Donnarumma iu tha tifozëve se nuk ka vendosur ende asgjë për të ardhmen dhe do të jetë ai vetë që do vendosë ku do luajë. Gjithashtu zbulohet se pas takimit me tifozët, portieri kuqezi është larguar me lot në sy. Kujtojmë se javën tjetër përballet Milani me Juventusin, dy skuadra që po luftojnë për një vend në Champions dhe do jetë një sfidë delikate.