Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, konfirmoi se në Shqipëri ka pasur raste të riinfektimeve me koronavirus, ndërsa theksoi se aktualisht 78% e shtretërve në spitale janë të zënë.

“Kemi raste të riinfektimeve, që i çon ekspertët në dyshime të qarkullimit të varianteve të rinj të Covid. Jemi në pritje dhe po çojmë mostrat në laboratorin e Berlinit për të vërtetuar se dyshimet tona do të rezultojnë të vërteta. Kemi 78% të shtretërve të zënë në spitalet Covid. Kjo nuk do të thotë se kemi vështirësi në ofrimin e shërbimeve. Kapacitetet nuk janë të mbingarkuara”, tha Manastirliu.

Kushtet kur Komiteti i Ekspertëve mund të propozojë masa të reja kundër Covid

Manastirliu ka treguar se cilat janë kushtet që Komiteti i Ekspertëve i vlerëson për të marrë masa shtrënguese për të parandaluar një përhapje të mëtejshme më të madhe të Covid.

Ministrja tha se  për të marrë masa të reja shihet numri i të infektuarve, numri i të shtruarve në spital dhe numri i fataliteteve për të vendosur masa të tjera më shtrënguese.

“Për sa i përket numrave apo situatës epidemiologjike që ne do të na sillte një vendimmarrje të re, më lejoni të them që janë disa kritere të reja që ne vlerësojmë për të marrë masat e reja. Nuk është vetëm numri i infektimeve, por është dhe situata në spitale.

Tani ne nuk kemi një situatë të mbingarkuar në spitale dhe kemi mjekë që janë në gatishmëri për t’u shërbyer qytetarëve. Për sa i përket terapisë intensive është vetëm 32% e zënë në të gjithë spitalet. Por një kriter tjetër është dhe fataliteti i rasteve me Covid”, tha Manastirliu.