Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se Shqipëria ka marrë 100 mijë teste të shpejta që do të ndihmojnë më shumë kufizimin e përhapjes së COVID-19.

Në një deklaratë për mediat, ministrja u shpreh se testet e shpejta do futen në përdorim që ditën e hënë në Tiranë dhe më pas në spitalet e rretheve.

“Në funksion të kufizimit të përhapjes së infeksionit, bazuar në vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve në kemi marrë të gjitha masat në kohë për përfshirjen e testimit të shpejtë. 100 mijë teste të shpejta të njohura nga OBSH që janë të disponueshme në vendin tonë që do të vendosen në funksion në strukturat spitalore. Do të nisë nga dita e hënë në Tiranë. Do të jetë i disponueshëm në të gjithë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja po ashtu tha se po punohet dhe për rritjen e kapaciteteve spitalore, për të përballuar situatën e COVID.