Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë thotë se në Shqipëri nuk është bërë asnjëherë reformë zgjedhore. Ndryshimet e fundit që vijnë nga marrëveshja e 5 qershorit për të nuk do të sjellin më shumë demokraci.

“Një reformë do të ishte hedhja në kosh të plehrave çdo ligj i shkruar për zgjedhjet. Demokracia duhet të shkojë tek votat. Vota duhet të jetë festë. Kemi nevojë për reformë që demokracia të kthehet tek vota. Kjo është një fletë e re tek Kodi i vjetër Zgjedhor”, tha Manjani.

“Nuk ka ndryshuar asgjë për njerëzit. Listat e hapur janë hapje gropash septike, nuk zgjidhin asgjë. Nuk hapet gara, por partia vendos një bashkësi me emra dhe u thotë njerëzve zgjidhni ju. Nëse partia nuk do që të jetë në listë, ti nuk je”, shtoi ish-ministri.

Manjani thotë se nuk e mbështet si koncept idenë e hapjes së listave pasi do të dëshironte një garë, ku luftojnë për vota dhe individët dhe partia.

“Do mbështetja shumë një hapje gare se sa një hapje liste, këta nuk e lenë popullin që të zgjedhë. Nuk kam qenë kurrë për lista të hapura. Jam për individë që konkurrojnë krahas partive”, tha ai.

Për diskutimet nëse i lejon apo jo Kushtetuta koalicionet parazgjedhore, Manjani tha se ligji themeltar i shtetit as i lejon dhe as i ndalon kjo është lënë që të përcaktohet në Kodin Zgjedhor.

“Në Kushtetutë u nisën për t’i heq por nuk arritën që t’i heqin. Ndryshimet kushtetuese nisën t’i bëjnë në mënyrë ekstremi por nuk arritën, e lanë litarin jashtë. Justifikimi që nuk na lejon nuk qëndron”, tha më tej ish-ministri i Drejtësisë.