Qeveria marokene përdori programin izraelit për të spiunuar thirrjet telefonike të presidentit francez Emmanuel Macron, ka raportuar Le Monde. Më shumë se një duzinë politikanësh të tjerë francezë thuhet se ishin në shënjestër në një skemë të mohuar nga Maroku.

Disa orë pasi prokurorët e Parisit filluan një hetim mbi pretendimet se agjensitë e inteligjencës së Marokut përdorën programin izraelitë për të mbikëqyrur telefonët e disa gazetarëve francezë, Le Monde raportoi se Macron ishte gjithashtu në shënjestër të agjentëve të Rabatit në vitin 2019, së bashku me ish-kryeministrin Edouard Philippe dhe 14 ministra të tjerë.

Përdorimi i programit ‘Pegasus’, i zhvilluar nga firma izraelite NSO, për të kërkuar në komunikimet telefonike të politikanëve, gazetarëve, aktivistëve dhe figurave të biznesit u zbulua nga Amnesty International dhe Forbidden Stories, një organizatë franceze hetimore.

Këto OJQ morën një listë prej 50,000 numrash telefoni, disa prej të cilëve dyshohet se u përgjuan nga virusi Pegasus dhe i ndanë të dhënat me 17 media.

“Nëse faktet janë të vërteta, ato janë padyshim shumë serioze,” i tha zyra e Macron gazetës Le Monde të martën, duke premtuar se shumë shpejt do hidhet dritë mbi këto zbulime.

Të hënën, qeveria marokene mohoi çdo përdorim të programit izraelit, duke i quajtur akuzat nga Le Monde dhe të tjerët ‘të pabazuara dhe të rreme’.