“Do të jenë 150 kuota pranimi mbi ato aktualet, që e çojnë numrin e përgjithshëm të studentëve të cilët do të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë në 450 studentë në vit”. Këto ishin fjalët e ministres Ogerta Manastirliu, pas marrëveshjes së nënshkruar me rektorin e fakultetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

Tashmë formimi i studentëve të mjekësisë do të ndodhë edhe në spitalet rajonale, në veçanti në spitalin rajonal të Fierit, i njohur edhe si spitali Memorial, i cili u ndërtua falë kontributit turk.

“Do të kemi mundësi që në sajë të investimeve që kemi bërë në gjithë këto vite, spitalet rajonale duke filluar nga spitali Rajonal i Elbasanit, spitali Rajonal i Durrësit, i Shkodrës dhe mbi të gjitha Spitali Memorial, i cili ofron shërbime terciare për qytetarët e rajonit të jugut, do të kenë mundësi që të vënë hapësirat edhe burimet e tyre njerëzore në funksion të rritjes të kapaciteteve dhe të formimit të studentëve dhe specialistëve të mjekësisë”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Manastirliu bëri me dije se në kuadër të rritjes së kapaciteteve, tashmë ka përfunduar projekti për të ngritur një qendër të bio-simulimit klinik, e cila do të ndërtohet në ambientet e Spitali të Sëmundjeve të Brendshme, pasi të përfundojë godina e spitalit të ri.