Këtë të hënë fillon puna në komisionin hetimor për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Pas vendimit të seancës plenare për të ngritur këtë komision, kryetari i saj, Enkelejd Alibeaj, ka thirrur mbledhjen e parë pa humbur kohë.

Axhenda e parë e komisionit është kryesisht formale, ku parashikohet të zgjidhet Sekretariati, miratimi i rregullores së brendshme si edhe vlerësimi i të dhënave paraprake, çka do të mundësojë që parlamentarët të nisin zyrtarisht hetimin ndaj akuzave për masakër zgjedhore.

Demokratët e kanë marrë seriozisht këtë çështje, duke vendosur në komision figura të larta politike, ku krahas Enkelejd Alibeajt, i cili është drejtuesi, anëtar do të jenë edhe Gazmend Bardhi, Oerd Bylykbashi apo Ervin Salianji.

Socialistët kanë preferuar që në brendësi të komisionit të mos ketë eksponent të lartë të partisë, duke futur deputetë që njihen më shumë si teknicienë.

Në komision do të ballafaqohen edhe dy ish-kolegë, Petrit Vasili nga LSI dhe Nasip Naço, tashmë i konvertuar në socialist, pasi do të jenë pjesë e të njëjtës tryezë.

15 anëtarët do të kenë një afat 3-mujor për të hetuar zgjedhjet.