Orari zyrtar i nëpunësve të administratës do të shtohet si dhe do të kthehet online.

Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë, duke përcaktuar rregullat e reja.

“Për institucionet e administratës shtetërore, orari ditor i punës fillon çdo ditë në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:30, ndërsa ditën e premte fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 14:00. Institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore e përcaktojnë vetë orarin ditor të punës”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Vendimi i plotë:

V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.511, DATË 24.10.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË INSTITUCIONET SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

  1. Në vendimin nr.511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
  2. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon: “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”
  3. Në kreun I bëhen këto ndryshime:
  4. a) Në pikën 1, fjalët “… publike të nivelit qendror, si dhe në institucionet e tjera shtetërore” zëvendësohen me “… shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”.
  5. b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Për institucionet e administratës shtetërore, orari ditor i punës fillon çdo ditë në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:30, ndërsa ditën e premte fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 14:00. Institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore e përcaktojnë vetë orarin ditor të punës.”.

  1. c) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Për institucionet e administratës shtetërore, në raste të veçanta dhe për arsye objektive, orari ditor i punës mund të ndryshohet me urdhër të Kryeministrit, por jo për një periudhë më të gjatë se 3 muaj.”.

  1. Në kreun III shtohen pikat 4, 5 dhe 6, me këtë përmbajtje: “4. Gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID–19: a) Institucionet e përcaktuara në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, janë të detyruara të realizojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet kombinimit të punës në ambientet e institucionit dhe telepunës (puna në distancë on-line), me qëllim respektimin e rregullave të distancimit social ndërmjet nëpunësve/punonjësve, të përcaktuara nga Instituti i Shëndetit Publik, bazuar në sipërfaqen e institucionit;
  2. b) Për realizimin e detyrimit të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike, institucionet duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar dhe të qartë grafikun e nëpunësve/punonjësve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe të atyre që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës. Grafiku duhet të miratohet nga Sekretari i Përgjithshëm/titullari i institucionit;
  3. c) Në përcaktimin e nëpunësve/punonjësve që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës, institucionet duhet të bazohen në: i. vlerësimin e llojit të detyrave që ushtrojnë nëpunësit/punonjësit; ii. evidentimin e rasteve të nëpunësve/punonjësve me patologji të ndryshme, të cilët janë më të rrezikuar në rast infektimi nga COVID-19; iii. evidentimin e nëpunësve/punonjësve që kanë në kujdestari ligjore fëmijë deri në moshën 14-vjeç.

Për rastet e parashikuara në nënndarjet “ii” dhe “iii”, të kësaj shkronje, përpara miratimit të grafikut, institucionet duhet të konsultohen me nëpunësit/punonjësit, me qëllim që të mundësohet realizimi i detyrave. ç) Puna nëpërmjet telepunës ka të njëjtën kohëzgjatje kohore si edhe puna në ambientet e punës së institucionit.

  1. Për periudhën e kohëzgjatjes së vitit shkollor 2020–2021, orari i punës për nëpunësit/punonjësit e përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, që janë prindër apo kujdestarë ligjorë të fëmijëve që frekuentojnë/ndjekin arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, për ditët kur ata duhet të kryejnë detyrat në ambientet e institucionit sipas grafikut të miratuar, përcaktohet nga titullari i institucionit. Orari i punës për këta nëpunës/punonjës gjatë kësaj periudhe, përcaktohet në varësi të orarit që fëmija/fëmijët e tyre do të frekuentojnë mësimin.
  2. Ngarkohen Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës shtetërore dhe secili institucion i pavarur e njësi e vetëqeverisjes vendore për institucionin e tyre që, brenda 10 (dhjetë) ditësh nga miratimi i këtij vendimi, të miratojnë rregullat dhe procedurat standarde të punës të harmonizuara, në përputhje me përcaktimet e pikave 4 dhe 5, të këtij kreu, dhe udhëzimet e dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik.”.
  3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi ZËVENDËSKRYEMINISTRI ERION BRAÇE