Parlamenti kaloi sot 3 projektligje me votat e maxhorancës dhe opozitës. Pak më parë u miratua me 112 vota pro marrëveshja për disa ndryshime për furnizimin me vaksina të “Pfizer”, ndërsa me 106 vota u kalua projektligji për pastrimin e parave.

Pavarësisht diksutimeve dhe debateve të shumta, ishte e lajmëruar se edhe deputetë të opozitës do të votonin pro projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave.

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji tha sot në foltoren e Kuvendit se do ta votojnë këtë ligj jo sepse besojnë te vullneti politik për ta zbatuar, por t’i hequr maxhorancës ‘një instrument propagande që ju do ta përdorni që këta kanë ndonjë merak’.

Sipas Salianjit është problem përfshirja e personave të ekspozuar politikisht të përfshirë në pastrimin e parave.

3 projektligjet e miratuara

  • Akt normativ “Për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin e furnizimin me vaksina Pfizer” miratohet me 112 pro dhe 2 abstenim.
  • Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar”” miratohet me 106 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim.
  • Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit” miratohet me 111 pro dhe 3 kundër.