Nëse marrim vetëm një të dhënë, përqindjen e pozitivitetit, pra raportin mes testimeve të kryera ditore dhe rasteve të reja ditore, do të shohim që këtë javë po e mbyllim me shifra alarmante në rritje. Të hënën, më 2 nëntor, pozitiviteti ishte 22.1% ndërsa të shtunën më 7 nëntor ishte 25,6% (tabela e mëposhtme). Por autoritetet në vend nuk kanë propozuar asnjë masë frenuese të përhapjes së Covid-19 në këtë valë të dytë të virusit, përveçse mbylljes për 1 muaj të universiteteve dhe konvikteve. Dhe kjo ndodh në një kohë që vende fqinje, të cilat në bazë të shifrave ditore kanë një përqindje shumë më të ulët të pozitivitetit, kanë ndërmarrë mbyllje dhe masa drastike.

Data Testime ditore Raste të reja Përqindja
2 nëntor 1446 321 22,1 %
3 nëntor 1684 381 22,6 %
4 nëntor 1725 396 22,9 %
5 nëntor 1744 421 24,1 %
6 nëntor 1954 489 25 %
7 nëntor 1927 495 25,6 %

 

Shqipëria
Deri më tani situata në Shqipëri mbetet e rëndë në shifra dhe e pakuptueshme në praktikë, sepse askush nuk po merr masa duke vlerësuar situatën. Edhe hapja e spitalit Covid3 duket se pak ka shërbyer, pasi në dyert e spitaleve vërehet një dyndje e pacientëve. Spitalet COVID 1, 2 dhe 3 nuk po arrijnë të përballojnë flukset dhe mjekët po i trajtojnë pacientët tamam në kushte lufte, në ambulanca. Sot qytetarët presin me ditë për të bërë testin dhe me ditë për të marrë përgjigjet. Ka legjenda urbane, të pohuara nën zë edhe nga mjekë, se në disa raste përgjigja e testit ka ardhur pozitive pas vdekjes së pacientit. Eksperti i shëndetit publik Erion Dasho, e shpjegon fluksi në rritje edhe me mbivendosjen e infeksioneve për shkak të virozave të tjera. “Duhet të testojmë në mënyrë të mjaftueshme për rastet me indikacion, që të mos kemi situata ku njerëzit presin me ditë të tjera për të bërë testin apo për të marrë përgjigjen. Unë mendoj se në kushtet që ka Shqipëria sot duhet të arrinte rreth 10 mijë testime në ditë. Nëse e realizojmë këtë ashtu si duhet, atëherë mendoj se epidemia do të vendoset në kontroll duke mësuar diagnozën e hershme dhe gjurmimin e kontakteve”, shpjegon Dasho.

Në një vëzhgim të fundit, Gazeta “Si” vuri re se baret dhe restorantet në qytetin e Tiranës rrallëherë e respektojnë distancën sociale. Autoritetet shëndetësore pohojnë se i njohin vatrat në kryeqytet dhe qytete të tjera, por nuk ka ende asnjë masë frenuese të Covid-19. Sipas kreut të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në Tiranë situata është jashtë kontrollit dhe kryeqyteti cilësohet si zonë e kuqe, pasi afro 175 vatra të Covid-19 janë vetëm në kryeqytet. “Nga të gjitha vatrat që janë në Shqipëri, mbi 35% e tyre janë në Tiranë. Janë të shpërndara, nuk mund të thuash se kjo është më e infektuar se tjetra. Tirana do të bëhet zonë e kuqe. Pothuajse është një transmetim komunitar”, tha Brataj në një intervistë televizivie, duke paralajmëruar një karantinë të pjesëshme. “Njerëzit nuk po respektojnë masat. Hapja e shkollave ishte një thikë me dy presa dhe vazhdon të jetë. Lokalet në darkë dhe çfarëdo lloj qofshin janë bërë një strehë për mos mbajtjen e maskës, ka mos respektim të distancës”, tha Brataj. Sipas tij, të rinjtë janë grupmosha më e prekur nga Covid-19. Nga 1300 thirrje të regjistruara në Urgjencën Kombëtare dy javë më parë, tani numri ka arritur në të paktën 3 mijë në 24 orë.
Sipas mjekut Dasho, vendosja në Tiranë e kufizimeve të ngjashme me gjithë vendet e përgjegjshme europiane duhet të ishte ndërmarrë prej kohësh. “Eksperimenti me maskat në rrugë ishte një turp që nuk dha asnjë efekt. Nevojiten masa serioze ku modeli më i mirë për t’u ndjekur duket ai gjerman. Të mbash maska në rrugë dhe të bësh panair qoftesh, apo të mbyllësh shkollat (universitetet) dhe të lësh hapur mejhanet, nuk funksionon! Funksionojnë masat e kufizimit që nuk cenojnë liritë e qytetarëve dhe janë në përpjestim me shkallën e rrezikut”, shkruan Dasho në një nga postimet e tij në Facebook. Gjithashtu ai sugjeron edhe çeljen e menjëhershme të spitaleve rajonale për të shfryrë presionin mbi spitalet COVID në Tiranë. “Nuk ka nevojë të jenë perfektë, thjesht të pranojnë pacientët që janë duke vdekur në shtëpi apo që dergjen dyerve të spitaleve të tejmbushura”, shprehet Dasho.

 

Greqia
Më datë 7 nëntor Greqia shënoi 2,556 raste të reja ditore të të infektuarve me Covid-19, nga 24,086 testime ditore që ishin kryer. Përqindja e pozitivitetit rezulton 10.61%. Por më datë 5 nëntor Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi një bllokim trejavor në të gjithë vendin në një përpjekje për të frenuar rritjen alarmante të rasteve të reja, të cilat kanë çuar në rritje e numrit të pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv. Të gjitha dyqanet me pakicë janë mbyllur dhe udhëtimet midis rajoneve janë ndaluar, ndërsa autoritetet kanë rifutur një sistem që i detyron qytetarët të dërgojnë mesazhe me tekst në një numër qeveritar për të lënë shtëpinë për të punuar, për të blerë, për të vizituar një mjek ose për të bërë stërvitje. Shkollat e mesme janë mbyllur dhe kanë kaluar në mësim online, ndërsa kopshtet dhe shkollat fillore vazhdojnë të qëndrojnë të hapura. Mitsotakis theksoi gjithashtu se qeveria greke ka planifikuar të mbështesë punonjësit për dy muaj për shkak të pandemisë. Sipas tij, do të ketë një pagesë 800 euro për punonjësit që u pezullohet puna për këto dy muaj si edhe 400 euro pagesë papunësie për ata që janë të papunë.
Nga ana tjetër, qeveria greke ka zgjeruar hartën e qyteteve të vendosura në karantinë të plotë, edhe me Selanikun dhe Serresin. Maskat janë bërë me detyrim mbajtjeje në çdo ambient, jashtë apo brenda qoftë. Rregullat përfshijnë edhe transportin. Autoveturat private dhe taksitë nuk mund të marrin më shumë se një pasagjer, ndërsa kur bëhet fjalë për fëmijë të vegjël prania e tij duhet të jetë e argumentuar. Në Selanik, Serres apo rajone të tjera ndalohet qëndrimi në ambientet publike, si parqe, rrugë apo sheshe. Kishat janë mbyllur dhe ritualet fetare duhet të kryhen pa praninë fizike të besimtarëve, ndërsa në ceremonitë e varrimeve nuk lejohen më shumë se 9 persona. Transporti me avionë, tren, autobus apo mjete të tjera është i ndaluar dhe dalja jashtë këtyre qyteteve bëhet vetëm për arsye madhore.

Italia
Më datë 7 nëntor Italia shënoi 39,811 raste të reja ditore të të infektuarve me Covid-19, nga 231,673 testime ditore që është kryer. Përqindja e pozitivitetit rezulton 17.1%. Por më datë 4 nëntor, Qeveria italiane njoftoi bllokimin e gjashtë rajoneve, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të vendit, përfshirë rajonet veriore që janë motori i saj ekonomik. Duke folur për këto masa, më drastiket që nga bllokimi në të gjithë vendin në mars, kryeministri Giuseppe Conte tha se “situata është veçanërisht kritike dhe se virusi po lëvizte me një ritëm të fortë e madje të dhunshëm”. Lëvizja brenda rajoneve gjithashtu është rreptësisht e kufizuar. Baret dhe restorantet mbyllen në të gjitha rajonet dhe dyqanet që shesin mallra jo të rëndësishme mbyllen në shumicën e tyre. Tre nga rajonet shtrihen në veriperëndimin e vendit, ku përfshihet edhe Lombardia, ndërsa rajonet jugore janë Kalabria, Pulia dhe ishulli i Siçilisë. Conte tha se kufizimet vendosen sepse në disa rajone virusi duket se ka një virulencë më të madhe dhe kjo është një rrezik që shërbimi shëndetësor të bjerë në kolaps shumë shpejt. Italia e gjitha është ndarë në tre zona: të kuqe, portokalli dhe të verdhë, secila me kufizimet e veta. Dekreti i ri i qeverisë përshkruan se do të qëndrojnë të mbyllura muzetë, shkollat e mesme dhe në fundjavë, qendrat tregtare. Conte rekomandoi që qytetarët të qëndronin në shtëpi gjatë ditës dhe të dilnin vetëm për arsye të qënësishme.