Pas 4 vitesh, Interi është rikthyer të mposhtë Juventusin, duke triumfuar 2-0 në San Siro, në një takim thuajse perfekt për zikaltrit.

Një ish-bardhezi, Arturo Vidal, ndëshkoi Juventusin e Pirlos në minutën e 12, duke e dërguar topin në rrjetë me një goditje me kokë. Edhe në minutat në vijim, skuadra e Conte-s dominoi dhe krijoi edhe dy raste të pastra për shënim, por Lautaro dhe Lukaku gabuan para portës.

Megjithatë, për të realizuar golin e sigurisë mendoi Nicolo Barella në minutën e 52-të, i cili u gjend i vetëm me portierin e Juventusit dhe nuk gaboi ta dërgonte topin në rrjetë, pasi një asisti fantastik nga mbrojtësi Bastoni.

Në vijim, Juventusi u përpoq të reagonte, por gjeti një mbrojtje të ngjeshur dhe të kujdesshme të Interit. Për t’u veçuar ishte një rast i minutave të fundit, kur Chiesa goditi drejt portës, por Handanovic ishte i vendosur të mos ndëshkohej në këtë takim, duke realizuar një pritje fantastike.

Kjo ishte fitorja e parë e Interit ndaj Juventusit që prej shtatorit të vitit 2016, atëherë kur zikaltrit triumfonin 2-1 me gola të Icardit dhe Perisic.

Me këtë fitore, Interi shkon në kuotën e 40 pikëve, po aq sa Milani, por kuqezinjtë do ta luajnë mbrëmjen e së hënës ndeshjen e kësaj jave ndaj Cagliarit.