Futbollisti i Kombëtares dhe Atalantës, Berat Gjimshiti, është mbrojtësi i dytë më i mirë në Europë në duelet ajrore. Sipas një studimi të “CIES Observatory Football”, një institut që merret me analizën e të gjitha të dhënave për çdo futbollit, Gjimshiti mban vendin e dytë klasifikimin e mbrojtësve më të mirë në luftën në ajër. Në studim janë përfshirë 10 kampionatet më të fortë të Europës.

Futbollisti 27-vjeçar ka statistika më të mira sa i takoj këtij elementi edhe se mbrojtësit e klubeve më të mëdha në Europë. Ai lë pas emra të njohur si Rafel Varane i Francës dhe Realit, apo Herri Meguajër i Anglisë dhe Mançesterit. Përpara mbrojtësit kuqezi është vetëm francezi Kurt Zuma i Çelsit, i cili ka përqindjen më të lartë të fitimit të dyluftimeve ajrore, 96.3%.

10 mbrojtësit më të mirë në Europë në luftën në ajër

Berat Gjimshiti vjen i dyti me 95.7%, ka humbur vetëm një dyluftim ajror. Rritja profesionale e mbrojtësit të Kombëtares ka qenë evidente sezonet e fundit. Ai është kthyer në një kolonë të fortë të Atalantës, që merr pjesë edhe në Ligën e Kampionëve, por edhe në Kombëtaren e Shqipërisë. Në luftën në ajër është nga më të mirët, siç e tregon edhe ky studim i fundit. Në kampionatin italian Gjimshiti është “mbret” në ajër, më i miri. Lojtari tjetër i Serisë A i këtij klasifikimi është Lorenco Toneli i Sampdorias, i cili mban vendin e nëntë.