Mbretëresha Elisabeth II ka kaluar mbrëmjen e të mërkurës në spital, ndërsa mjekët kanë kryer analiza për të diagnostikuar problemet. Këtë e konfirmoi një zëdhënës i pallatit mbretëror, pasi monarkja anuloi papritur një udhëtim të planifikuar për në Irlandën e Veriut.

95-vjeçarja u shtrua në spital të mërkurën dhe u kthye në Kështjellën Windsor të enjten, thuhet në deklaratën e zëdhënësit. Më parë, ai kishte thënë se Mbretëresha do të bënte disa ditë pushim, pas këshillës së mjekëve.

Mbretëresha do të merrte pjesë në një shërbesë fetare në Armagh të enjten, për të shënuar 100-vjetorin e krijimit të Irlandës së Veriut, por pranoi këshillën e mjekëve. Por pjesëmarrja e saj në fund të muajit në konferencën e klimës në Glasgou të Skocisë nuk është anuluar.

Të martën, Mbretëresha organizoi një pritje plot stil dhe luks në kështjellën Windsor për miliarderët më të mëdhenj të botës, të dërguarit e presidentëve apo sipërmarrësit e teknologjisë, të cilët morën pjesë në samitin e organizuar nga qeveria britanike për çështjen e investimeve.