24 orë pas ndarjes nga jeta të një 17-vjeçari nga COVID-19, shefja e reanimacionit të Sanatorimit tregon për Euronews Albania përpjekjet e mjekeve për ta shpëtuar. Mjekja Alma Cani tregon për rënien e madhe të moshës së të prekurve, duke aluduar për mutacionet e reja të virusit.

Alma Cani, shefja e reanimacionit në spitalin COVID-2 ka qenë deri në momentet e fundit me adoleshentin që humbi jetën si pasojë e COVID-19.

Ndarja nga jeta e 17-vjeçarit ka prekur stafin mjekësor, që pavarësisht përpjekjeve, nuk mundën ta mbanin në jetë. Pikëpyetjet më të mëdha ngrihen me moshën shumë të re, pasi nuk ishte në kategorinë e personave të rrezikuar.

“Djali erdhi në gjendje shumë të rëndë. Analizat treguan se kishte një prekje 100 % të mushkërive. Pavarësisht përpjekjeve, kushtet në të cilat ai ndodhej e bënë të pamundur mbijetesën”, tregon Alma Cani, shefe e reanimacionit në COVID-2.

Në një intervistë për Euronews Albania, shefja e reanimacionit në spitalin COVID-2, tha se i riu nuk kishte sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, por ishte pak mbi peshë dhe kjo e ka ndihmuar sëmundjen të përparojë.

“Obeziteti në COVID është fatal, për më tepër në këtë ndryshim të strukturës së virusit”, tha mjekja.

Sipas saj, një tjetër faktor lidhet edhe me strukturën gjenetike.

“Ka ndodhur edhe diçka tjetër që duhet parë, struktura e gjenit. Po humbasin jetën edhe familje ku vdes babai, nëna, fëmijët”, u shpreh znj. Cani.

Mjekët ngrenë alarmin për një rritje të numri të rinjve të shtruar në spital.

Një rol në këtë realitet të ri mund të kenë edhe mutacionet e reja, që edhe se nuk pranohet zyrtarisht, me sa duket janë prezentë edhe Shqipëri.

“Spitali nuk ka vetëm mosha të treta, por po shtohet me mosha të reja. Tashmë i gjithë spitali është kthyer në një terapi intensive të madhe ku asistohen. Duhet të mos neglizhoni dhe ardhjen në kohën e duhur, pavarësisht moshës”, apelon mjekja.

Mjekët shpresojnë që të jetë vaksina ajo që do të sjellë dritën në fund të tunelit për të kaluar këtë situatë të vështirë.