Pas pesë ditësh heshtje, Zonja e Parë e SHBA, Melania Trump, ka thyer heshtjen për trazirat në Kapitol, në një letër të postuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë, në të cilën dënon dhunën dhe kritikët e saj.

“Unë jam e zhgënjyer dhe e dëshpëruar me atë që ndodhi javën e kaluar”, deklaroi mes të tjerash ajo.

Melania Trump shigjetoi edhe personat që e kritikuan për qëndrimin e saj indiferent, duke e konsideruar veten si një viktimë në mes të një sulmi të paparë ndaj demokracisë.

Melania Trump u kritikua sepse gjatë sulmeve në Kongres, ishte duke mbikëqyrur një sesion fotografik në Shtëpinë e Bardhë me qilima dhe sende të tjera.

Ajo nuk ndërpreu aktivitetin e saj dhe nuk bëri asnjë deklaratë për qetësi ose për të ndaluar dhunën, siç kishte bërë disa herë muaj më parë gjatë protestave për vrasjen e George Floyd. Por në letër ajo i rrëzon këto akuza.

“Unë e shoh të turpshme që përreth këtyre ngjarjeve tragjike ka pasur thashetheme, sulme të padrejta personale dhe akuza të gabuara mashtruese ndaj meje, nga njerëz që kërkojnë të jenë të rëndësishëm dhe të kenë një agjendë. Kjo kohë ka të bëjë vetëm me shërimin e vendit tonë dhe qytetarët e saj. Nuk duhet të përdoret për përfitime personale”, tha ajo.