Edhe pse ka një debat të madh përsa u përket udhëzimeve që japin ekspertë të ndryshëm rreth ushqyerjes së fëmijëve nën 2 vjeç, ka prova që tregojnë se mënyra si ushqehen fëmijët nën 2 vjeç ndikon në shëndetin e tyre më vonë, kur të rriten. Shkenca është ende në hapat e parë dhe studimet janë ende të paqarta përsa i përket kësaj teme por me obezitetin e fëmijëve në rritje dhe idesë se sëmundje të ndryshme si diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare e kanë gjenezën në fëmijëri, ka një interes të madh për të zbuluar se a ndikon mënyra si ushqehen foshnjat në shëndetin e tyre kur të rriten.

“Ne kemi prova që tregojnë se ushqimi në fëmijëri hedh themelet e një jete të tërë.” thotë Susan Johnson, një pedagoge e pediatrisë dhe drejtoreshë e Laboratorit të Ushqimit të Fëmijëve në Kampusin Mjekësor të Universitetit të Kolorados “Anschutz” në Aurora.

Hulumtimi nga Johnson dhe kolegët e saj kanë zbuluar se ekziston një dritare nga mosha 6 deri në 12 muajsh kur fëmijët mund të jenë më të pranueshëm ndaj ushqimeve të reja, përfshirë ato të hidhurat. Shkencëtarët gjithashtu kanë zbuluar që ndikimet ndodhin edhe më herët. Bebet janë të ekspozuara ndaj aromave të ushqimeve që në mitër përmes lëngut amniotik dhe më vonë përmes qumështit të gjirit.

Kathryn Dewey, pedagoge në Universitetin e Kalifornisë ka treguar se bebet dhe fëmijët e vegjël nuk hanë mjaftueshëm drithëra dhe hanë shumë sheqer të shtuar.

Ndërkohë, Julie Mennella, një biopsikologe në “Monell Chemical Sense Center”, një instritut hulumtimi jofitimprurës në Filadelfia thotë se fëmijët që ushqehen me qumësht gjiri i cili është i ëmbël, janë më të prirur të anojnë nga produktet e ëmbla kur të rriten.

63% e foshnjave 6 deri në 12 muajsh po hanë sheqerna të shtuara në një ditë të caktuar, sipas të dhënave të analizuara nga instituti. Foshnja të moshës 12 deri në 24 muajsh hanë rreth pak më shumë se gjashtë lugë çaji sheqerna të shtuar në ditë dhe 29% e tyre po konsumojnë pije të ëmbëlsuara me sheqer. Studimet kanë zbuluar se fëmijët që konsumojnë pije të ëmbëlsuara me sheqer kanë një rrezik më të lartë të mbipeshës.

Imazh ilustrues

Gati 19% e fëmijëve nga 2 deri në 19 vjeç janë obezë, sipas të dhënave të viteve 2015-2016 nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Kjo është një rritje e konsiderueshme duke e llogaritur me 13.9% që ka qenë në 1999-2000.

“Një foshnje mbipeshë bëhet një fëmijë me mbipeshë dhe një i rritur me mbipeshë”, thotë Dewey. Ai thotë se tani ka fëmijë që kanë diabet të tipit 2 kur deri para pak kohësh prekeshin vetëm të rriturit, me raste të rralla kishte të rinj.

Vetëm 6% e foshnjave 6 deri në 12 muajsh janë duke ngrënë perime çdo ditë, sipas të dhënave të analizuara nga instituti. Johnson beson se duhet dhe mund të ndryshojë diçka e tillë. Ajo kreu një studim, i cili është i pabotuar, ku 106 foshnjave dhe fëmijëve të vegjël u është ofruar lakër nga kujdestarët e tyre (94% e të cilëve ishin nënat e tyre). Bebet të cilët ishin rreth 6 deri në 12 muajsh kishin tendencë për ta ngrënë lakrën jeshile edhe pse nuk donin.

“Edhe nëse fëmijët nuk e pëlqenin, kur nënat mbushnin lugët ato hapnin gojën dhe e hanin.” thotë Johnson.

Imazh ilustrues

Diçka e tillë nuk ndodhi e fëmijët 1 vjeç pasi ato kishin më pak të ngjarë të hanin lakër jeshile. Kjo tregon se ajo periudha 6 deri në 12 muajsh është thelbësore për prezantimin e atyre ushqimeve që mund të jenë delikate dhe jo të pëlqyeshme kur të rriten.

“Neofobia” e fëmijëve arrin kulmin midis moshës 2 dhe 5”, thotë Catherine Forestell, një pedagoge e shkencave psikologjike në Williamsburg.

Ajo thotë se është e rëndësishme që t’ju mësojmë fëmijëve të hanë sa më shumë fruta dhe perime kur janë të vegjël duke i edukuar ata për një ushqyerje të shëndetshme.

Forestell tregon se ekspozimi i përsëritur ndaj ushqimeve të reja, përfshirë perimet, i bën fëmijët më të gatshëm t’i hanë ato. Ajo tha se kur të rinjtë katër deri në 24 muajsh shijonin një frut ose perime të veçantë çdo ditë për tetë apo dhjetë ditë ose më shumë, ata hanin më shumë ushqime të tilla dhe më shpejt.

Kështu që Forestell inkurajon prindërit të vazhdojnë të ofrojnë ushqime edhe nëse foshnjat bëjnë fytyra mospranimi kur e provojnë. Gjithashtu, bëni shumëllojshmëri, thotë ajo. Në këtë mënyrë foshnjat “do të jenë më të gatshme të pranojnë ushqime të reja”.

Ajo tregon se 88% dhe 99% të fëmijëve dhe adoleshentëve hanë më pak se sasia e rekomanduar e perimeve dhe rreth gjysma e fëmijëve të moshës 4 deri në 8 vjeç hanë më pak se sasia e rekomanduar e frutave në ditë.

Ndërkohë, vetëm 6% e foshnjave 6 deri 12 muajsh hanë perime të gjelbra në çdo ditë të caktuar.

Burimi: Wall Street Journal.