Nëse deri më sot ka pasur hamendësime dhe dyshime se Gjermania dhe Bashkimi Europian nuk e mbështesin nismën e Ballkanit Perëndimor, ato u shuan nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë vizitës disaorëshe që zhvilloi në Tiranë.

“Ka shumë mundësi bashkëpunimi rajonal dhe përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal të katër lirive të lëvizjes. Jo të gjithë po bashkëpunojnë në këtë marrëveshje. Disa të tjerë janë duke u menduar t’i bashkohen kësaj nisme, disa jo. Sa më shumë të bashkëpunojnë në këtë kontekst, aq më i mirë dhe aq më i rëndësishëm është për Procesin e Berlinit”, u shpreh Merkel në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

Edhe Kryeministri Rama i mëshoi kësaj ideje, duke deklaruar se nisma e tij, Vuçiç dhe Zaev nuk është gjë tjetër veçse përpekje vetjake e rajonit për të përshpejtuar Procesin e Berlinit.

“Ballkani i Hapur është pjellë e Procesit të Berlinit. Është as më shumë e as më pak një mekanizëm për ta përshpjetuar Procesin e Berlinit. Nuk ka asgjë brenda që kundërshton Procesin e Berlinit, por marrja në dorë e procesit pa pritur që një herë në vit të mblidhen diku të tjerët për ne, apo të tjerët në Bruksel ta bëjnë për ne. Kush thotë që bien ndesh, ose e bëjnë me qëllim, ose nuk e kuptojnë”, deklaroi ai.

Trashëgimia e Berlinit

Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014-të, kur Kancelarja gjermane, Angela Merkel thirri në Gjermani udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke kthyer kokën pas dhe duke bërë një bilanc, Merkel pranoi se më shumë mund të ishte bërë, sidomos në infrastrukturë, por i njohur meritat këtij procesi në zbutjen e tensioneve dhe nisjen e dialogut mes vendeve të rajonit.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë filluar të bashkëpunojnë. Liderët takohen me njëri-tjetrin, janë ulur me njëri-tjetrin. Ideja e 2014 për inicimin e një procesi bashkëpunimi ka ndryshuar shumë rajonin. Pashë qetësi mes popujve dhe kryetarët e qeverive takohen në mënyrë të vazhdueshme dhe normale. I gjithë bashkëpunimi në të gjitha dimensionet është konsoliduar”, tha ajo.

Kryeministri Edi Rama i mveshi merita të mëdha për këtë, pikërisht nismës së Kancelares gjermane.

“Angela Merkel në këtë rajon ka vendosur një gur kilometrik që do të kujtohet nga gjeneratat e ardhshme. Nuk e quaj dështim Procesin e Berlinit, por realisht një vizion afatgjatë, që do të kalojë nga një qeveri në tjetrën, nga një gjeneratë në tjetrën. Rajoni e ka marrë kthesën dhe Ballkani i Hapur është vetëdija që ne do të çojmë gjërat përpara, duke bashkëpunuar me Gjermaninë dhe me BE”, u shpre Rama.

“Pasuesi”

Largimi i Angela Merkel lë pas frikën se udhëheqësi i ri i Gjermanisë do të largojë vëmendjen nga Ballkani Perëndimor dhe në këtë konferencë, Kancelarja u pyet se kë shihte si pasues, që do të mbushte boshllëkun e lënë prej saj në marrëdhëniet e BE-së me rajonin.

Merkel tha se Ballkani Perëndimor ka shumë miq në Bashkimin Europian dhe mes emrave përmendi Presidentin francez, Emmanuel Macron, Kancelarin austriak, Sebastian Kurz, Presidentin e KE, Charles Michel. Veç tyre, Merkel ndau bindjen se kushdo që të zgjidhet Kancelar në Gjermani, do të vijojë të jetë mik i rajonit.

“Macron ka vizituar të gjithë rajonin dhe kemi zhvilluar bashkarisht takime në Berlin. Kurz është gjithashtu një mik i rajonit dhe çdo kancelar i gjermanisë do të jetë mik i rajonit. Miqtë e Ballkanit në BE janë të shumtë dhe ua siguroj këtë”, u shpreh Kancelarja.

Gjithsesi, Kryeministri Rama tha se Angela Merkel do t’i mungojë rajonit.

“Do të ketë vazhdimësi në politikën gjermane, cilido qoftë fituesi, por Angela merkel do t’i mungojë këtij rajoni”, u shpreh ai.

Integrimi

Kancelarja gjermane e pranoi nga Tirana se hapja formale e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po mbahet peng për shkak të vetos së vendeve anëtare të BE-së për shkak të përplasjeve të brendshme të tyre.

“BE do të duhej që nga njëra anë të thonë se cilat janë kushtet për t’u përmbushur për nisjen e procesit të anëtarësimit dhe kemi thënë se çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e drejtësisë. Ne kemi nevojë për miratimin e Parlamentit dhe Parlamenti im lexon me shumë imtësi raportet dhe shikon vendet, takohet me shoqërinë civile dhe në momentin që konstatohet se këto kushte janë përmbushur duhet mbajtur fjala pasi në të kundërt sjell zhgënjim dhe thyerje të besimit”, tha Merkel.

Rama tha se sot Shqipëria është peng i nacionalistëve të BE-së që ushtrojnë presion ndaj Qeverive kundër zgjerimit.

“Pengmarrje e procesit të integrimit nga një vlagë nacionalizmi në një vend në tjetrin të BE. Fatmirësisht, Gjermania nuk e ka lidhur asnjëherë integrimin e rajonit me politikën e brendshme, por ne jemi peng i zgjedhjeve që mbahen në vendet e BE”, u shpreh Rama.

Objektivat

Angela Merkel bëri një bilanc pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ajo tha se marrëdhëniet janë shumë të mirë, por se ato kanë mundësi që të përmirësohen edhe më tej.

“Kemi folur për projekte të rëndësishmë infrastrukturore”, u shpreh Merkel.

 

Ndërkohë, i pyetur se cili do të jetë objektivi i qeverisë së tij në mandatin e tretë në lidhje me bashkëpunimin rajonal, Kryeministri Edi Rama theksoi vetëm një.

“Ballkani i Hapur është objektiv i qeverisë simë në mandatin e tretë. Ballkani i Hapur është krijuar jo për të përjashtuar njeri, por për të mos u varur nga vetot e njërit dhe teoritë konspirative të tjetrit, por për të ecur përpara sipas Procesit të Berlinit. Dy gjera ka procesi i Berlinit, aplikimin e katër lirive të BE në rajon dhe investimet që vijnë nga paketa e Komisionit Europian”, tha ai.