Bojkoti i kampionatit të futbollit të Superiores mund të quhet i mbyllur, edhe pse presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ia ka lënë Ligës fjalën e fundit. Ai ka pohuar para gazetarëve se sot ka pasur një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili i ka premtuar se do të marrë në konsideratë propozimet e futbollit. Palët duket se e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e 4 kërkesave që ka Liga Profesioniste.

“Duhet të bashkojmë paratë me pasionin, për këtë po luftojmë përmes ndryshimit të legjislacionit. Pra, pasioni të mos të bëhet gropë për familjen dhe shoqërinë. Futbolli duhet të luhet, është e dëmshme ndërprerja e tij edhe për futbollistët. Një orë e më parë duhet luajtur futboll. Nuk duhej të ndërpritej, duhej arritur marrëveshjen gjatë lojës.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe Kryeministri Edi Rama. Gazeta Si, 23 tetor 2020

Në një tavolinë të fundit që ka pasur Liga me qeverinë, na është premtuar se do të miratohet një nga dy propozimet. Kam pasur një takim me kryeministrin sot dhe më ka thënë që do ta marrë në konsideratë. Fundi i bojkotit? Varet nga Liga, nëse do të bindet me kaq, apo do të ketë një zhvillim tjetër. Ligji i Sponsorizimit nuk është çështje numrash. Një fond për sportin është pak, ka nevojë shumë më shumë për mbështetje. Nuk e di nëse bëra mirë apo keq që e tregova këtë, por mendoj se kryeministri Rama do të japë vetë ndonjë prononcim.

Të gjithë jemi të lumtur kur fillon futbolli. Nuk do të isha dakord me propozimin e Ministrisë së Financave për Ligjin e Sponsorizimit në sport, nuk prodhon para. Ka prodhuar zero para për 25 vite dhe tani do të prodhojë zero herë tre. Kryeministri do flasë me Ministrinë e Financave dhe vetë mund të dalë me ndonjë qëndrim”, – u shpreh presidenti i FSHF-së, Duka.

Edhe pse nuk ka një datë zyrtare për nisjen e kampionatit, java e parë e Superiores do të luhet të mërkurën, ose fundjavën e ardhshme. Kampionati i Superiores tani duhej të luante javën e shtatë të tij, por ai u bllokua nga Liga Profesioniste që i kërkonte qeverisë miratimin e disa kërkesave, për të cilat futbolli ka nevojë. Ligji i Sponsorizimit ishte pika më e rëndësishme dhe më e diskutuar gjatë takimeve të deritanishme mes përfaqësuesve të Ligës dhe atyre të qeverisë. Presidenti Duka dhe kryeministri Rama, me sa duket, kanë arritur një akord dhe shumë shpejt topi do të fillojë të rrotullohet.