Ka mbaruar. “Nuk të krijoj shpresa të rreme”, tha Joan Laporta. Pas 20 vitesh Leo Messi largohet nga Barcelona.

Joan Laporta, Presidenti i Barcelonës, doli sot përpara mediave për të shpjeguar arsyen e mosrinovimit të kontratës së Leo Messit, kur gjithçka dukej se ishte zgjidhur mes palëve.

“Fair Play Financiar nuk na lejon që të nënshkruajmë kontratën për të cilën kishim rënë dakord me Leo Messin. Ajo kontratë do të rrezikonte klubin kur të vinte kontrolli. E analizuam situatën me gjakftohtësi dhe bëmë llogaritë me kujdes. Gjithashtu, duhet t’i përmbahemi kufijve që ka vendosur La Liga, edhe pse mendoj se mund të ishin më fleksibël”, u shpreh Laporta.

“Nuk dua të krijoj shpresa të rreme”

“Nuk dua të krijoj shpresa të rreme. Ajo që është e sigurt është se lojtari ka oferta të tjera. Koha ishte e limituar, si për ne dhe për Leon. Gjithçka tregon se ky ‘fair-play financiar’ do të vazhdojë të jetë aktiv. Do donim që epoka post-Messi të niste pas dy vitesh, jo tani.

Ne të gjithë do donim të vazhdonim të shijonim magjitë e tij, por nuk ishte e mundur. Kontrata 5-vjeçare që i ofruam? La Liga na sugjeroi bindshëm se kjo kontratë mund të pranohej, por pas një analize ata na treguan se nuk ishte e mundur.

Fatkeqësisht, ne kemi marrë një trashëgimi katastrofike: pagat e Barcelonës përfaqësojnë 110% të fitimeve të klubit. Nuk kemi një kufi pagash dhe rregulloret e La Liga kalojnë përmes fair-play financiar, që përcakton kufijtë. Kjo është arsyeja pse ne nuk ishim në gjendje të respektonim marrëveshjen e dakorduar me Leo Messin.

Për fat të mirë ne kemi një institucion 122-vjeçar që është mbi çdo lojtar, madje edhe mbi lojtarin më të mirë në botë. Ne do t’i jemi mirënjohës përjetësisht, por klubi është akoma gjëja më e rëndësishme se të gjitha. Do vazhdojmë të fitojmë edhe pa Leon“, deklaroi Laporta.