Lionel Messi do të luajë për Paris Saint Germain. Një nga anëtarët familjes mbretërore nga Katari që zotëron klubin njoftoi në rrjetet sociale se bisedimet janë mbyllur dhe pritet zyrtarizimi.

Në media shkruhet se do të jetë një kontratë 2-vjeçare me opsion edhe për 1 vit tjetër. Mesi pritet të përfitojë 40 milionë euro në sezon.

Argjentinasi nuk arriti të rinovojë me Barcelonën duke u larguar 21 vitesh.

PSG synon ta prezantojë Messin para tifozëve të martën e 10 gushtit në kullën e Eiffel, ndërkohë që argjentinasi te PSG ribashkohet me shokun e tij të vjetër Neymar Jr, por edhe shokët e tij në kombëtaren argjentinase Di Maria e Paredes.

Me Messin në skuadër Pochettino mund të hedhë në fushë një formacion yjesh me Donnarumman në portë, Hakimin, Marquinhos, Ramos e Bernat në mbrojtje, Verratin, Wijnaldum e Di Marian në mesfushë dhe Neymar, Mbappe e 6-herë fituesin e Topit të Artë në sulm, 11-she kjo që nuk duhet ta diskutojë fitimin e titullit kampion në Francë dhe duhet të tentojë me çdo kusht triumfin në Champions League.