Presidenti Ilir Meta dekretoi emërimin e katër gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.

Kreu i Shtetit pranoi propozimet e KLGJ-së dhe vendosi që:

Zoti Sokol Binaj të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
Zonja Albana Boksi të emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë;
Zoti Sandër Simoni të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
Zoti Klodian Kurushi të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Me këto emërime të reja, Gjykata e Lartë nga sot bëhet me 7 anëtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.

Në deklaratën e Presidencës shprehet shqetësimi se “ka kaluar plot një vit nga momenti i propozimit nga KLGJ, të emërimit të 3 anëtarëve të parë në Gjykatën e Lartë. Nëse KLGJ do të ndjekë këtë ritëm, atëherë Gjykata e Lartë, do të plotësohet me të gjithë trupën gjyqësore, në mars të vitit 2024”.

“Kjo gjendje është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë. KLGJ duhet të angazhohet me seriozitet, për të vijuar me ritme më të shpejta procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet, dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate të gjithë mbështetjen e nevojshme. Gjykata e Lartë përballet me një sfidë shumë të madhe, për të përmbushur detyrimin për të shqyrtuar një numër të lartë çështjesh të mbartura. (rreth 35 mijë çështje gjyqësore që presin shqyrtimin)”, shton njoftimi.