Pasi bëri homazhe tek shtatorja e Ismail Qemalit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Presidenti Ilir Meta i ktheu përgjigje deklaratave të Ramës se më 6 Mars për zgjedhjet e pjesshme do të jetë edhe përballë “popullit të 2 Marsit”.

Kreu i shtetit tha se këto deklarata janë “kurthe diletantësh” dhe se nuk ka ndërmend që të marrë pjesë në asnjë garë politike partiake deri më 24 Korrik.

“Këto janë kurthe diletantësh dhe koha e teatrit të kukullave në politikë përfundoi me 25 Prillin. Kështu që Presidenti Ilir Meta as nuk ka marrë as nuk ka ndërmend të marrë pjesë në asnjë garë politike partiake deri më 24 Korrik. Sigurisht, kemi bërë një premtim solemn që pas 24 Korrikut do të bashkëbisedojmë me popullin heroik, patriot dhe sovranist të 2 Marsit. Ata që i ka marrë malli të ballafaqohen me Ilir Metën do ta kenë këtë mundësi shumë shpejt”, tha Meta.

Meta tha se këto zgjedhje janë një mundësi për të treguar se ka opozitarizëm në vend. “Deri më 25 prill nuk kishte fare opozitë. Tani, sidoqoftë kemi disa deputetë të angazhuar për të përmbushur misionin e opozitarizmit në vend. U bëj thirrje të gjithëve të punojnë për të rivendosur integritetin e votës së lirë. Ne presim dhe duhet të punojmë edhe për çeljen e negociatave me BE brenda këtyre 6 muajve. Këto zgjedhje janë një mundësi për të lënë pas shkrirjen e shtetit me partinë, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, sipas raportit të OSBE/ODIHR-it”.

Një përgjigje kreu i shtetit e pati edhe për deklaratën e Ramës se do të këshillohet me popullin për emrin e ri të Presidentit.

“Shpresoj t’i shkojë mirë konsulta me qytetarët për këto çështje. Unë e kam konsultën me popullin e 2 Marsit në momentin e duhur”, tha Meta.