Pas akuzave se është takuar me subjekte të OFL-së, Presidenti Ilir Meta ka sfiduar kryeministrin Edi Rama që të tregojë vendin, kohën dhe emrin e këtij personazhi krimi me të cilin kreu i qeverisë pretendon se ai është takuar. Nëse Rama e bën këtë, Meta thotë se do të japë dorëheqjen.

Nëse nuk e bën këtë gjë, Meta e paralajmëron që do të merret çdo ditë me Ramën dhe do t’u faktojë shqiptarëve lidhjet e tij me botën e krimit si dhe nuk do t’i ndahet derisa ta përzërë nga Partia Socialiste.

Kohë kreu i shtetit i ka lënë Ramës afat Asamblenë e PS-së që pritet të mblidhet ditën e sotme.

“Ky njeri pa Atdhe, pa nder, pa vlera më akuzon sot se kam takuar skutave subjekte të OFL-së. I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen. Përndryshe, nëse nuk e bën këtë gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, jam i detyruar të merrem çdo ditë me të dhe t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare, dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzemë së bashku edhe nga Partia Socialiste. Çdo ditë do e ftoj në debat televiziv, në çdo studio që do zgjedhë ai, dhe me çdo gazetar që preferon ai”, tha Meta.

Kreu i shtetit zgjodhi t’i drejtohej me këtë mesazh asamblesë së PS-së si një prej ish-themeluesve dhe ish-anëtarëve të parë të partisë.

“Unë hyra në Partinë Socialiste, atëherë kur nuk shkonte asnjë i ri dhe kur Edi Rama hidhte baltë të zezë mbi socialistët dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”, thotë Meta, i cili shton se Rama ka marrë peng PS-në dhe po bllokon integrimin e Shqipërisë.

“Ju e dini shumë më mirë se unë, se si ky njeri i papërgjegjshëm, përjashtoi nga kjo parti profesorët dhe intelektualët më të spikatur të vendit, për t’i zëvendësuar ata me trafikantë dhe kriminelë, të cilët ju skuqin sot nga turpi”, shton ndër të tjera Meta.

Në fund, kreu i shtetit i uron punë të mbarë anëtarëve të asamblesë socialiste.