Presidenti Ilir Meta ka kthyer dje për rishqyrtim ligjin për projektin e Butrintit, i kundërshtuar fort nga opozita. Sot, presidenti Meta në një konferencë për mediat ka thënë se është e papranushme që shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi për pasuri të tilla dhe të ia kalojë ato privatit.

“Parku Kombëtar i Butrintit është një pasuri e paluajtshme e regjistruar në listën botërore të UNESCO-s. Sipas Konventës së Trashëgimisë, përgjegjësia mbi këto objekte nuk mund të kalojë në OJF, por mbetet te shteti. Shteti nëse do ta apikojë këto formë të re, do të duhet ta ruante të palëkundur, të zotëronte dhe të drejtën e vetos në funksion të respektimit të kushtetutës. Duhet të bëhej në përputhje me përgjegjësitë shtetërore e jo të fragmetizuara në plane 10-vjeçare. Shteti nëse do të aplikojë këtë formë të re administrimi nëpërmjet një fondacioni, duhet të ruante rolin e tij.

Nëse qeveria sot deklaron mosgarantimin në perspektivë të vlerave, si mund ta garantojë atë me një pjesëmarrje në një fondacion ku rolin dhe vendimmarrjen e ka të kufizuar? Presidenti nuk është kundër bashkëpunimit shtet-privat. E papranueshme logjika që për një pasuri me vlera kaq të larta për trashëgiminë kulturore, shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi kur vetë shteti është futur në një formë ku nuk zbaton dot rolin kontrollues. Për një pasuri me vlera të tilla duhej marrë një komunikim i ngushtë me të gjithë. Mungesa e transparencës është evidentuar nga ish-anëtarë të bordit të përzgjedhur. Asgjë e keqe nuk mund t’i vijë Kuvendit nga diskutimet, nga konsulta. Kjo është e papranueshme pasi ajo që po jep shteti është një pasuri publike duhet të mbikëqyret si nga auditues ndërkombëtarë ashtu dhe nga KLSH. Kjo do të garantonte mirëadministrimin e të ardhurave”, tha Meta.

Në Parkun e Butrintit do të bëhet investim nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, zonë e cila krahas aktivitetit ekonomik tha se do të kthehet në hartën e parqeve pa karbon.