Kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë reaguar në lidhje me tërmetin e rënë sot në Kroaci, ku janë raportuar deri më tani 7 viktima dhe dëme të shumta materiale.

Kreu i qeverisë shqiptare i ka shprehur solidaritetin presidentit dhe kryeministrit kroat për këtë fatkeqësi dhe premton dhënien e ndihmës modeste për këtë situatë.

“U kam përcjellë sot shprehjen e solidaritetit vëllazëror Presidentit Milanoviç&Kryeministrit Plenkoviç, për fatkeqësinë mbi qytetin Petrinja! Shqipëria i është pranë me zemër Kroacisë mike e do të japë ndihmën e saj modeste për shërimin e plagës së hapur nga tërmeti i fortë”- shkruan Rama në Twitter.

Edhe presidenti Meta në postimin e tij në rrjetet sociale shpreh solidaritetin me popullin dhe autoritetet kroate. Ai thotë se do të Shqipëria do të jetë pranë Kroacisë me të gjithë kapacitetet e mundshme, si partnerë strategjikë.

“I trishtuar nga tërmeti i rëndë, që goditi sot Kroacinë mike! Solidaritet njerëzor me popullin dhe autoritetet kroate, me urimin për ta përballuar me të gjithë forcën këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen e familjeve, që kanë humbur të dashurit e tyre.

Pranë Kroacisë, me të gjithë kapacitetet tona të mundshme, si partnerë strategjikë, krah për krah në çdo sfidë”, shkruan Meta.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u uron shërim të shpejtë të plagosurve.

“I trishtuar nga lajmi i një tërmeti të dytë në Kroaci sot. Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për familjet e viktimave. Ne solidarizohemi me popullin dhe shtetin kroat dhe i urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, shkruan Basha në Twitter.

Deri më tani në Kroaci kanë humbur jetën 7 viktima për shkak të tërmetit. Mes tyre është edhe një vajzë 12-vjeçare.

Aktualisht flitet për dhjetëra të lënduar ndërsa lëkundjet janë ndjerë në një rreze të gjerë deri në brigjet e veriut të Italisë në Adriatik.

Epiqendra e tërmetit ka qenë në një fshat në Kroacinë Qendrore.