Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot për fenomenin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri, që këtë vit raportohet të ketë rritje. Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se shpërthimi i kanabisit në vit zgjedhor është një traditë e njohur.

Ai shton se kanabisi përdoret si një mjet përfitimi për grupet kriminale që marrin përsipër kontrollin elektoral të qarqeve të caktuara.

“Shpërthimi i kanabisit në vit zgjedhor është traditë e njohur tashmë për t’u përdorur si mjet përfitimi për grupet kriminale që marrin përsipër kontrollin elektoral të qarqeve të caktuara por edhe si mjet shantazhi ndaj shumë hallexhinjve që në mungesë të mbështetjes shtetërore për aktivitetet bujqësore, blegtorale, të agrobiznesit dhe agroturizmit janë të detyruar të bëhen punëtorë të këtyre grupeve kriminale”, shkruan Presidenti.

Kreu i shtetit shton se në Shqipëri nuk arrestohen bosët e vërtetë, por në pranga përfundojnë gra dhe pleq.

“Bosët e vërtetë kurrë nuk preken por shpesh për të prodhuar statistika fiktive, arrestohen gra dhe burra të moshuar si grup i strukturuar kriminal”, mbyll reagimin e tij Ilir Meta.