Nga Ilir Mborja

Tashmë, u bënë disa vite që kalimtarët e bulevardit kryesor të Elbasanit shohin monumentin e skulptorit Vladimir Caridha të vendosur pranë murit të Kalasë. Është monumenti kushtuar martirëve të mendimit të lirë përgjatë viteve të diktaturës.
Monumenti kushtuar martirëve të diktaturës është vepër që, me respektin që tregon për bijtë e vet, fisnikëron Elbasanin moralisht dhe e nderon artistikisht për nivelin modern të realizimit. Futurizmi, gjuha metaforike e kësaj rryme, duket se është zgjedhur pikërisht nga autori për të përjetësuar në beton ngjyrë gri në okër martirët e mendimit të lirë për të ardhmen.
Monumenti është vendosur drejt e në tokë disa metra para murit të Kalasë. Bazament është drejtpërdrejt toka, një sipërfaqe paksa e ngritur lehtë përreth tij e mbjellë me bar dekorativ. Ashtu, i thjeshtë deri në mos ekzistencë, ky bazament natyral me heshtjen e vet është në shërbim të monumentit. Ç’do gjë i lihet të flasë vetëm atij.
Por shumë nga shikuesit janë përballur në këtë rast me një pamje disi të ndryshme nga ajo që shpesh janë mësuar të shohin në qytetet tona. Gjuha skulpturale e këtij monumenti është paksa e ndryshme dhe për këtë duket se komunikimi me shikuesit mbetet i vështirë. Kemi të bëjmë me një metaforë artistike që ashtu si metaforat gjuhësore dhe letrare shprehin një transport kuptimor në bazë të një ngjashmërie. Për ilustrim mund të sjellim metaforat gjuhësore (grykë, këmbë, qafë) që, nga një ngjashmëri me formën apo funksion e pjesëve të trupit të njeriut, kanë rrjedhur emërtimet (grykë shisheje, qafë mali, këmbë ure, etj.). Metaforat letrare duke pasur si qëllim shprehjen artistike, dihet që janë tjetër gjë, por në thelb ato konstruktohen nga i njëjti parim, ai i transportit të kuptimit në bazë të një elementi ngjashmërie.
Megjithëse, tashmë, që nga 2013 kur u vendos monumenti kanë kaluar shumë vite, si me çdo metaforë, edhe me këtë skulpturalen, sidomos me këtë, komunikimi mbetet ende i jo i lehtë. Prandaj, në përpjekje për të ndihmuar në komunikimin me monumentin “Martirëve” të Vladimir Caridhës, qysh kur u vendos jam munduar ta përcjell me këto komente shpjeguese:
Monumenti i kushtohet një fakti historik, atij të martirizimit të njerëzve të mendimit dhe fjalës së lirë dhe të qëndresës së tyre përgjatë viteve të diktaturës. Temë me shumë personazhe, ku autorit do t’i duhej domosdoshmërisht të operonte me simbole gjithëpërfshirëse. Skulptori Vladimir Caridha ndonëse me elementë gjithsesi “konkretë” si portreti i burrit apo hekurat e kryqëzuar të burgut, duke stilizuar, edhe ka abstraktuar gjatë kompozimit të tyre. Por ne jemi mësuar që sa herë përballemi me një monument kompozicional, njëherazi ai të na komunikojë qartë mesazhin, ose subjektin. Këtë herë ka ndodhur disi ndryshe. Gjuha e monumentit “Martirëve” është vërtet skulpturale, por, gjithashtu, edhe metafora vetë paraqitet me një gramatikë akoma më skulpturale. Për Elbasanin ky mbetet një monument që flet për herë të parë në një gjuhë të tillë, prandaj edhe komunikimi i tij bëhet i vështirë, madje paksa i çuditshëm. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se është një gjuhë e panjohur. Bota ka kohë që është mbushur me monumente të tilla, që mesazhet i shfaqin vetëm me një gjuhë simbolike të lojës së raporteve të vëllimeve dhe masave arkitektonike. Tregimet e subjekteve të deshifrueshme në artet figurative i përkasin vetëm formave të vjetruara, madje tejet të vjetruara të shprehjes artistike. Historia e artit madje, edhe futurizmin në artet figurative, në mos shekuj, ka dekada që e ka promovuar si suksesive e me reputacion të padiskutueshëm. Qytetërimi i sotëm, sidomos ai perëndimor, në arkitekturë ende nuk para njeh ndonjë rrymë rivale me futurizmin. Kjo rrymë që kur lindi quhej e tillë se synonte një mirëkuptim në perspektivën e kohës për gjuhën e saj metaforike, e ka kapërcyer ekzaminim objektiv të artit përmes kohës sot aq shumë, sa pothuajse e ka humbur kuptimin e fjalës “E ardhmja”. Duke pasur metaforën në thelb të shprehjes së vet, me karakteristikat e imponuara nga liria e transportit të mjeteve të komunikimit, futurizmi, qysh kur u shfaq në artet figurative, as nuk mund të periodizimet sipas historisë së artit perëndimor. Kjo ka ndodhur edhe me monumentin “Martirët” dhe autorin e saj Vladimir Caridha. Të kërkosh të arrish në deshifrimin e metaforës skulpturale siç arrihet pasi analizohet një vepër letrare me subjekt realist është marrëzi.

E kundërta është e vërtetë: kompozime me tema të tilla, me elementë qartazi realistë ka kohë që nuk të zë syri të vendosen në botën e qytetëruar. Mesazhe me subjekt lehtas të deshifrueshëm nuk janë më punë e monumenteve. Kjo detyrë ka kohë që i është lënë gjinive të tjera të artit, si letërsisë, teatrit apo filmit. Në historinë e arkitekturës botërore këtë gjuhë të raporteve të përmasave të njeriut me tempujt (kupto institucionet) e gjejmë qysh në Rilindjen italiane. Kujtojmë këtu arkitektin Donato Bramante ku në tempullin e San Pietros që projektoi në Romë (1502) zbatoi (kuptohet me gjuhën e arkitekturës) as më shumë e as më pak skicën shumë të njohur të Leonardo Da Vinçit, atë të një burri nudo me gjymtyrë të hapura në dy pozicione, në mes të një rrethi dhe një katrori. Vizatimin që paraqiste pikërisht këto raporte të njeriut me tempujt. Por historia shumë e hershme e artit figurativ botëror si edhe e jona me artin realist (socialist) shqiptar, nga e cila po duket se e kemi shumë të vështirë të shkëputemi, ka lënë gjurmë në edukimin estetik të njerëzve në lidhje me kompozimet monumentale. Pritshmëria jonë për komunikim me kompozimin skulptural, si rezultat i këtij edukimi është tjetër. Gjë që nuk ka ndodhur me muzikën për arsyen e thjeshtë se ajo nuk është e figurshme. Dhe ndodh si në rastin e monumentit “Martirëve”, që meqenëse nuk gjejmë elementë qartazi realistë që ne të kemi mundësi të thurim konkretisht në përfytyrimin tonë një fabul me martirë e prokurorë, xhelatë me kamxhikë e pranga ndër duar, nuk e kemi të vështirë ta quajmë të pakuptimtë. Por të arsyetosh kështu është njësoj si të thuash që edhe një gjuhë e huaj nuk ekziston, meqenëse unë nuk e di. Dhe nuk duhet harruar se në abstraksionizmin në monumente jemi jashtëzakonisht të vonuar. Atyre që mendojnë akoma ndryshe mund t’u kujtohet se abstraktojnë shkencat, madje ato ekzakte. Ç’është x apo y në një ekuacion matematike? Pse qenka kaq e vështirë atëherë të pranojmë të abstraktojë dhe të përdorë simbole arti monumental?

…Dhe duket se për të ndihmuar këtë komunikim, autori i veprës, skulptori Vladimir Caridha kishte gdhendur tek një gur jashtë monumentit fjalën: MARTIRËVE. Gërmat i kishte gdhendur gjithsesi në mënyrë të çrregullt, si të thuash disi të zorshme për t’u deshifruar nga një sy i pavëmendshëm.

Kur hidhja për së pari këto radhë, për këtë detaj shkruaja: “Autori në këtë rast duket se ka qenë në mëdyshje për të bërë një lëshim të përkohshëm për të ndihmuar kuptimin e temës së monumentit. Pastaj dëshiroja që: “Urojmë që koha për ta bërë të panevojshëm atë sqarim (kompromis jo shumë skulptural) të jetë sa më e afërt!”.

Çuditërisht koha provoi se vërtet ai (guri me mbishkrimin “MARTIRËVE”) ishte një komunikim i përkohshëm dhe i panevojshëm për gjithmonë. Nuk u mor vesh se kush e bëri “korrigjimin” që unë propozoja në shkrimin botuar së pari më shtator të 2013-s në faqet e gazetës “Elbasani”?! Autori, Vladimir Caridha, vetë dyshon për një keqbërës të rëndomtë dhe nuk di të shpjegojë arsyen pse i është dashur ai gur i shkruar?! Edhe unë ashtu mendoj. Pa tjetër që një keqbërës i pandërgjegjshëm ka qenë ai që instinktivisht tregoi se “kishte një ndërgjegje të lartë artistike”. Megjithëse, mua do më pëlqente sikur të kish qenë dikush që kishte lexuar komentin tim kritik për gurin me mbishkrim jashtë monumentit dhe ta kishte shkulur atë për ta lënë futurizmin e monumentit të pa cenuar siç është sot.
Dhe, duke u kthyer edhe një herë te monumenti, ajo që mund të komentohet, madje edhe të përshkruhet me fjalë është vetëm tema e tij. Një ese skulpturale për martirët e mendimit të lirë. Kaq. Ndërsa, po të përpiqemi që të shpjegojmë logjikën e kësaj teme, gjithnjë me gjuhë skulpturale, mund të kolaudonim: Vladimir Caridha ka paraqitur siluetë burri të ndërkallur me hekura burgu, që të kujtojnë prangat dhe një tjetër siluetë e brendshme këtë radhë, ose hapësirë siluete që të kujton një zemër. Kemi kështu marrëdhënien e dhunshme midis dy koncepteve të papajtueshme: Mendimit të lirë nga njëra anë dhe shtypjes së diktaturës nga ana tjetër. Hapësira boshe në mes të monumentit që të kujton një siluetë zemre, simbolikisht flet me gjuhën e formës mungesore, risi për skulpturën monumentale shqiptare. Dhe pjesa e plotë e monumentit është qëllimisht e lënë e ndarë në drejtkëndësha simetrikë gjer në monotonizëm nervoz të blloqeve të betonit. Dhunën sistematike ndaj mendimit të lirë përgjatë 50 viteve të diktaturës të kujtojnë. Hapësira në mes me siluetën e zemrës të lejon të shikosh gurët e Kalasë së moçme të lëmuar nga shekujt, të ngjashëm por edhe autentikë në lirinë e formës së tyre. Bash mu ashtu si martirët e mendimit të lirë. Nuk e dimë se sa i qëllimshëm ka qenë për skulptorin ky shpjegim i mësipërm, por gjithsesi nuk është aq rastësor kontrapunkti i kubikëve simetrikë me atë të gurëve të çrregullt të Kalasë, kur vendi ku do të vendoset monumenti përcaktohet e studiohet që më parë siç edhe u veprua për këtë vepër. Nëse është krejt rastësi, Vladimir Caridha duhet të pranojë për bashkautor vetë Zotin.
U përpoqa si munda të ndihmoja në komunikimin me këtë monument që tashmë ka disa vite që na flet me gjuhën e tij për martirët jo të paktë të Elbasanit tonë. Metaforën skulpturale të Vladimir Caridhës, mund ta përkthemë këto vargje poetikë: Nëse ka vdekje, ajo vjen gjithmonë e dyta/ E para vjen gjithmonë Liria.