I vetmi fakt që ka zvarritur rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, është paragjykimi si një shtet me shumicë myslimane. Kjo është analiza e Presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviç kur flitet për qasjen europiane ndaj vendit tonë.

Gjatë një konference të përbashkët me presidentin Bajram Begaj, pas pritjes zyrtare në Kroaci, Milanoviç tha se procedurat as nuk do të kishin avancuar nëse nuk do të ishte ndjerë rreziku prej agresionit rus në Ukrainë.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të bëhen sa më parë pjesë e BE, pasi supozoj që i vetmi arsye për këtë janë paragjykimet ndaj Ballkanit dhe myslimanëve. Shqipëria në shumicë është një vend i banuar me qytetarë të besimit mysliman dhe jo vetëm. Kjo si duket në Evropën perëndimore është bërë një problem, ky është fakt. S’ka patur asnjë sfidë apo arsye politike të sigurisë, apo ekonomike që Shqipëria të ishte pothuajse në fund të negociatave të anëtarësimit”- tha Zoran Milanoviç, Presidenti i Kroacisë