“Nuk ka asnjë pengesë në rrafshin politik për arritjen e zgjidhjes së krizës aktuale të Gjirit. Shteti i Katarit nuk ndalet në çështje të vogla”, – deklaroi të mërkurën nga Moska Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm Rus, Sergej Lavrov.

Zyrtari i lartë katarian tha se dy javë më parë janë hedhur hapa para në drejtim të zgjidhjes së krizës, dhe shtoi se aktualisht po zhvillohen bisedime për një marrëveshje në parim rreth kornizës së veprimit me palët e tjera deri në arritjen e pajtimit. Ai qartësoi se bisedimet kanë qenë vetëm me Arabinë Saudite, e cila përfaqësonte edhe vendet e tjera, dhe se këto bisedime bazohen mbi parimin e respektimit të sovranitetit të secilit vend.

“Asnjë shtet nuk mund t’i vendosë kushte shteteve të tjera, as nga ana jonë dhe as nga ana e të tjerëve.” – tha ai.
Gjatë konferencës për shtyp, Al Thani shprehu qëndrimin e vendosur të Katarit për unitetin e GCC-së (Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit) dhe zgjidhjen e krizave përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv, duke shtuar se asnjë palë nuk fiton nga vazhdimi i konfliktit dhe se humbësit më të mëdhenj nga kriza aktuale janë popujt e GCC-së. Ai theksoi se të gjitha vendet e Gjirit do të mund të dalin fituese vetëm nëse rikthehet dhe rindërtohet besimi ndërmjet vendeve të GCC-së.

Ministri i Jashtëm i Katarit e konsideroi sigurinë e GCC-së si një prioritet për politikën e vendit të tij, duke deklaruar se përshkallëzimi i mosmarrëveshjeve nuk është në interes të asnjë pale. Gjithashtu, ai bëri thirrje për dialog midis vendeve të GCC-së dhe Iranit, duke u shprehur se Katari mirëpret çdo iniciativë që kontribuon në stabilitetin e rajonit.

Lidhur me situatën në Libi, Al Thani theksoi se rezolutat e Këshillit të Sigurimit mbi Libinë duhet të respektohen nga të gjitha palët, si dhe nënvizoi rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje të drejtë për çështjen palestineze, mbi bazën e legjitimitetin ndërkombëtar. “Nuk mund të ketë zgjidhje për çështjen palestineze pa krijimin e shtetit të Palestinës”- tha ai.

Gjithashtu, ministri i jashtëm katarian bëri të ditur se bisedimet me homologun e tij rus u fokusuan mbi mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, krahas këmbimit të mendimeve dhe qëndrimeve rreth zhvillimeve të krizës së Gjirit, situatës në Siri dhe marrëveshjes bërthamore të Iranit. Ai shprehu edhe vlerësimin e tij për koordinimin e vazhdueshëm mes Rusisë dhe Katarit në fushën e gazit të lëngshëm natyror.