Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme këtë të shtunë ka reaguar në lidhje me lajmin që autoritetet greke kanë dhënë një ditë më parë për shtyrjen e masave kufizuese me Shqipërinë edhe gjatë dy javëve të para të shtatorit.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat Ministria e jashtme greke bën me dije se të gjithë udhëtarët që hyjnë nga Shqipëria do të zbatojnë me përpikmëri masat e marra pak ditë më parë.

Sipas një njoftimi mbetet në fuqi deri më 19.09.2020 aplikimi i kontrolleve paraprake përmes testit negativ PCR 72 orë para mbërritjes në vend, për personat që mbërrijnë në aeroport dhe nga pikat tokësore nga Shqipëria.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton mbi regjimin e lëvizjes nga Shqipëria drejt shtetit grek për periudhën 1 – 15 shtator 2020, në kuadër të masave kundër Covid-19, si më poshtë:

– Për 14 ditë të tjera, nga data 1-15 shtator 2020, mbetet në fuqi kufizimi i hyrjes për shtetasit shqiptarë për arsye turizmi;
– Mbetet në fuqi kufizimi i lidhjeve detare dhe ajrore me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Keshtu, fluturimet drejt/ nga këto vende bëhen vetëm nga aeroporti “Eleftherios Venizelos”;
– Mbetet në fuqi kufizimi i numrit të personave që hyjnë në dite nga PKK të Kakavijës (750 vetë) dhe Kapshtices (300 vetë);
– Mbetet në fuqi deri më 19.09.2020 aplikimi i kontrolleve paraprake përmes testit negativ PCR 72 orë para mbërritjes në vend, për personat që mbërrijnë në aeroport dhe nga pikat tokesore nga Shqipëria.