ABC ka siguruar pamjet ekskluzive të momentit të ekzekutimit të 31-vjeçarit Tauland Gjikaj mesditën e sotme në rrugën “Transballkanike” në Vlorë. Pamjet janë mjaft të rënda. Në videon ekskluzive të siguruar nga ABC shfaqen dy persona që dalin nga një makinë dhe i drejtohen shënjestrës.

Autorët duken se janë dy persona të rinj në moshë. I pari i drejtohet Gjikajt përballë, ndërsa pas tij qëndron një tjetër që ka zbrazur armën. 31-vjeçari bie në tokë dhe fillon që të kërkojë ndihmë ndërsa banda që kreu vrasjen largohet me shpejtësi.

Në momentin e largimit, njëri nga autorët rrezikon që të mbetet në vendin e ngjarjes, pasi shoferi i jep gaz me shpejtësi për t’u zhdukur.

Gjikaj u dërgua menjëherë në spital por nuk mundi të mbijetojë për shkak të plagëve të marra. Deri tani, lidhur me ngjarjen është arrestuar vetëm njëri nga autorët e dyshuar të vrasjes, i cili është Hans (Andi) Jonuzaj.

Jonuzaj nga Vlora u arrestua në momentin që po tentonte të largohej me makinën e tij tip “Ford”, brenda së cilës u gjet edhe një armë zjarri kallashnikov.

Viktima ishte person me precedent penal i përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe pista e parë që po hetohet lidhet me larjen e hesapeve mes bandave për hakmarrje ose prishje pazaresh

Viktima  përdorte disa identitete, njihej edhe si Taulant Beqiraj dhe Taulant Manaj.

31-vjeçari Tauland Gjikaj është djali i një ish-punonjësi policie. Pas vrasjes, në momentin e këqyrjes së vendit të ngjarjes policia i ka gjetur në brez edhe një armë zjarri tip pistoletë.