Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë në pikëpyetje për shkak të burgosjes së kritikut të Vladimir Putin, Alexei Navalny.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se Moska është e gatshme të ndërpresë lidhjet me Bashkimin Evropian, nëse merren sanksione të dhimbshme ekonomike ndaj saj.

Bashkimi Evropian mund të vendosë ndalime udhëtimi dhe bllokime pasurish ndaj aleatëve të Presidentit rus Vladimir Putin, ndoshta qysh këtë muaj, thanë tre diplomatë. Ata thanë se Franca dhe Gjermania kanë sinjalizuar gatishmërinë për ta bërë këtë.

Sanksionet, në përgjigje të burgimit të kritikut kryesor të Putinit, Aleksei Navalny, mund të jenë të parat që do të vendosen nën një kornizë të re të miratuar në dhjetor, e cila lejon BE të marrë masa kundër shkelësve të të drejtave të njeriut në të gjithë botën.