Dedë Malaj, mësues dhe drejtor i shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Paskuqan u nda nga jeta të martën, pasi më herët ishte testuar pozitiv me COVID-19. Malaj është mësuesi i parë që humb jetën nga koronavirusi prej nisjes së vitit të ri shkollor, ndërsa dhjetra mësues dhe staf arsimor raportohen të infektuar.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, DPAP, mesatarisht 80 mësues dhe staf arsimor janë testuar pozitivë apo janë izoluar pas dyshimeve se mund të jenë infektuar me COVID-19.  Megjithatë, zyrtarë të DPAP i thanë BIRN se protokollet e sigurisë dhe shmangia e kontakteve edhe mes mësuesve, janë të mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nëpër shkolla.

“Nëse mësuesit zbatojnë të njëjtat rregulla si në shkollë dhe jashtë saj, ju siguroj që nuk do të ketë probleme me COVID-19,” tha Fiqiri Çifliku, përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore dhe Statistikës në DPAP.

Ndryshe nga zyrtarët e Ministrisë, një numër mësuesish dhe përfaqësues të dy sindikatave të arsimit i thanë BIRN se rregullorja dhe masat e marra ishin në mjaft raste të pazbatueshme edhe brenda shkollave. Ata ngritën gjithashtu shqetësime për numrin e ulët të testimeve apo për mungesën e kushteve të higjienës në një pjesë të konsiderueshme të shkollave në vend.

Isa Reka, drejtues i Federatës së Sindikatave të Arsimit i tha BIRN se kishte dyshime që numri i infektimeve po fshihej dhe akuzoi se mësuesve nuk u bëheshin testime edhe kur kolegët e tyre rezultonin pozitivë.

“Mësuesit kanë frikë, ka dhe mësues me sëmundje të tjera,” tha Reka, ndërsa shtoi se kontaktet mes mësuesve në një shkollë ishin të pashmangshme.

Edhe kryetari i Sindikatës së Pavaruar të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli ngriti dyshime se udhëzimi i Ministrisë së Arsimit nuk po zbatohej në të gjitha shkollat.

“Në mjaft raste ka mungesë uji, detergjentësh dhe mungesë të tualeteve, që i bëjnë të pamundura masat,” tha Kaptelli për BIRN.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN mbi numrin e mësuesve të infektuar dhe testimet nëpër shkolla deri në publikimin e këtij shkrimi.

Numrat e paqartë

Stafi i shkollës ‘Sabaudin Gabrani’ duke bërë kontrollin e temperatures pStafi i shkollës ‘Sabaudin Gabrani’ duke bërë kontrollin e temperatures per nxenesit. Foto nga Nensi Bogdani.

Shqipëria e nisi vitin shkollor më 14 shtator dhe mijëra nxënës dhe mësues u rikthyen në klasa mes sfidave dhe pasigurisë të diktuara nga pandemia e COVID-19. Për të parandaluar përhapjen e infeksionit, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë miratuan udhëzime për mësuesit, nxënësit dhe stafin mbështetës.

Megjithatë, ulja e temperaturave, kurba në rritje e numrit të të infektuarve në Shqipëri si dhe numri i ulët i testimeve kanë sjellë shqetësime të reja për mbarëvajtjen e vitit shkollor.

Në një vëzhgim që BIRN bëri në disa shkolla në Tiranë, mësues dhe prindër thanë se nuk ishin të informuar për rastet dhe se i mësonin ato përmes rrugëve jozyrtare, kur dikush mungonte.

Mësues të kontaktuar refuzuan të flisnin me emër, por pranuan se ishin të trembur dhe të paqartë për situatën.

“Askush nuk na ka thënë nëse do të bëjmë testime,” tha një mësues në njërën prej shkollave ku ishin identifikuar kolegë me COVID-19.  Ai shtoi gjithashtu se lajmin për të infektuarit e kishte mësuar nga bisedat me kolegët.

Mungesa e informacionit për numrat e saktë të të infektuarve si dhe testimet e pakëta mes stafeve arsimore kritikohen edhe nga sidikatat e arsimit, të cilat përshkruajnë një situatë të paqartë.

“Nuk kemi mbledhur të dhëna për rastet, për faktin tjetër ne nuk dimë saktësisht se cili është numri real i të infektuarve. Duhet të flasësh pas testimeve, testet bëhen shumë pak,” tha Nevruz Kaptelli nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë.

Isa Reka, drejtues i Federatës së Sindikatave të Arsimit, ishte më i ashpër ndërsa tha se pas mungesës së testimeve dyshonte për numër të fshehur të infektimeve.

“Jemi në dijeni që ka shumë raste. Kam dyshime që fshihet numri i infektimeve,” ngriti pikëpyetje Reka.

Numri i saktë dhe i përditësuar i mësuesve të infektuar apo i atyre që rezultojnë pozitivë me COVID-19 mungon edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, ku statistikat përpunohen përmes mungesave.

“Ne marrim vetëm njoftimin që një mësues është izoluar, nuk kemi të dhëna për testet,” tha Çifliku, ndërsa shtoi se numrat ata i nxirrnin prej mungesave ditore dhe njoftimeve për vetëizolim.

“Që prej fillimit të shkollës kemi pasur një mesatare prej 120 mungesash në ditë, nga këto rreth 80 kanë qenë të lidhura me COVID-19,” tha Çifliku. Ai shtoi se javën e kaluar [5-9 tetor] numri i mungesave mesatare kishte rënë në 109.

Çifliku vuri në dukje se ishte përgjegjësi e ISHP-së të vendoste se kush do të testohej dhe kush konsiderohej kontakt i afërt, ndërsa vuri në dukje se DPAP po mbante në vëzhgim shkollat. Ai shtoi megjithatë se nuk kishte pasur arsye për të mbyllur ndonjërën prej tyre.

Masat e mangëta

Protokollet e sigurisë kundër pandemisë së COVID-19 në korridorin e një shkolle në Tiranë. Foto nga Nensi Bogdani.

Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar pretendon se masat e rrepta parandalojnë përhapjen e virusit brenda shkollave, drejtuesit e sindikatave vunë alarmin për shkolla me mungesë kushtesh minimale.

“Ajo që e bën më të vështirë mbrojtjen në shkolla, është mungesa e ujit të rrjedhshëm në një numër shumë të madh shkollash, kryesisht rurale,” tha Kaptelli.

Ai shtoi gjithashtu se ka ende shkolla ku mungojnë banjot, detergjentët apo dizinfektatët. Një tjetër problem është edhe transporti apo pamundësia e familjeve të varfra për të siguruar maska për fëmijët e tyre.

Kaptelli vuri në dukje se këto probleme duhej të ishin zgjidhur nga pusheti vendor, ndërsa theksoi se problemet ishin më të dukshme atje ku shkollat ishin bashkuar për shkak të dëmtimeve nga tërmeti.

Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Shpendi Gjana nuk i mohoi shqetësimet për mungesën e kushteve në disa shkolla, por tha se kjo ishte përgjegjësi e bashkive.

“Për kushtet e higjenës në shkolla vazhdimisht bashkitë në rrethe po merren me këtë dhe ne po ua kërkojmë që të mos ketë asnjë shkollë me mangësi,” tha ai.

Përfaqësuesit e sindikatave u ankuan po ashtu edhe për mungesë të ndihmës për mësuesit. Ata thanë se po verifikonin nëse po paguheshin orët suplementare, por njëkohësisht kërkuan ndihmë për mësuesit dhe nxënësit në varfëri dhe në pamundësi për të siguruar maska dhe mjete mbrojtëse.

Ministria e Arsimit tha se po punohej me një sërë organizatash jo qeveritare dhe herë pas here shpërndaheshin materiale të kësaj natyre në shkolla.

“Situata është dinamike dhe furnizimi bëhet sipas kërkesave nga çdo shkollë,” përfundoi Gjana.