Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar pas nisjes së hetimeve ndaj tij për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Murrizi, sipas policisë, përmes firmës së tij “Murrizi 2009” dyshohet se ka fshehur pasurinë dhe nuk ka deklaruar 60 mijë euro pranë ILDKPKI-së.

Në një prononcim për “Report TV”, Murrizi i ka mohuar totalisht akuzat që i ka bërë policia në prokurorinë e Tiranës. Ai pretendon se çdo qindarkë e ka deklaruar.

“E para unë e di që qeni të kafshon pa lajmëruar.

Duhet të kisha unë njohuri për këtë hetim ndërkohë që unë kam asnjë informacion. 

E dyta unë kam qenë person i ekspozuar politikisht dhe kam deklaruar pasurinë 4 vite rresht. Të gjitha dokrrat që shkruajnë ish-sigurimsat si Tonin Voci në atë raport i kanë tek ILDKP-ja. Nuk është e vërtetë që jam dënuar, kam marrë pafajësinë nga Gjykata e Lartë. Është vendimi nr. 423 i Gjykatës i së Lartë.

Ky është maskarallëk i një grupi fundërrinash që drejtojnë kupolën e Policisë së Shtetit. Unë kam deklaruar çdo qindarkë. Fundërrinat e këtij lloji i kam përdorur shpesh si letra higjienike. Nuk di çfarë ka.

Habia më e madhe është akuza për ‘pastrim parash’. Paratë e kujt pastroj unë? Paratë e ministrave të Ramës? Të Lulit? Të Berishës? Të kujt? Ata i kanë lavatriçet e tyre. Nuk mendoj se unë jam i ndershëm por jam i ndershëm me fakte.”- ka thënë Murrizi.