Mundohemi deri në fund, por nuk ja dalim. Një gabim i vetëm dhe Kombëtarja Shqiptare humb mundësinë për të mbajtur vendin e dytë në Grupin I.

Polakët dalin me një fitore me shumë mundim 0-1 nga “Air Albania” e veshur me ngjyrat kuqezi nga 22 mijë tifozë.

Ndeshja u zhvillua e barabartë dhe me raste të pakta. Të dyja ekipet studiuan për shumë minuta njëra-tjetrën dhe sulmet ishin sporadike.

Shkëndijën e parë e japin kuqezinjtë në minutën e 9 me Ramadanin që merr një top në gjysmëfushën kundërshtare dhe pason tek Manaj i cili më pas nuk pason tek Uzuni.

Miqtë tentojnë të sulmojnë, por mbrojtja kuqezi është e vendosur mirë dhe e karikuar për të mos lejuar asnjë top të kalojë.

Pjesa e parë mbyllet zero me zero. Me të njëjtin ritëm rinisi dhe pjesa e dytë me polakët që sulmojnë dhe Shqipëria që mbrohet.

Në minutën e 70, Polonia rifreskon sulmin dhe ishte pikërisht kjo lëvizje që nderon trajnerin portugez për të marrë 3 pikët aq shumë të gabuar.

Një top i humbur pranë zonës futet kros nga miqtë dhe Swiderski përfiton nga përgjumja e mbrojtjes dhe nga pas krahëve shënon golin e avantazhit në minutën e 77.

Por festa e tij përballë tifozëve kuqezi nuk është pritur mirë prej tyre. Mori sendesh të forta dhe bidonë janë lëshuar në drejtim të sulmuesit polak dhe kjo gjë ka detyruar arbitrin francez Clement Turpin të ndërpresë ndeshjen për më shumë se 20 minuta.

Rifillimi i ndeshjes nuk sjell asgjë për tanët që më shumë u përpoqën ta përfundonin atë brenda 90 minutash, që kombëtarja të mos pësonte një dënim të rëndë nga organet më të larta të futbollit europian.