Nga foltorja e Kuvendit, në seancën e kësaj të enjteje, deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çela, ka ngritur shqetësimin se qytetarët e Tropojës nuk po marrin asnjë shërbim në këtë qytet, duke i transferuar të gjitha në Kukës.

E fundit që ai përmend është Gjykata e Shkallës së Parë. Çela thekson se Kukësi është më afër me Tiranën se sa me Tropojën. Ai bën thirrje që qytetarët e Tropojës të trajtohen si qytetarë të barabartë, në të kundërt, përmend mbajtjen e një referendumi për t’u bashkuar me Kosovën.

“Ju që në 2013 trumbetuat më të madhe sloganin qeveri e shërbimit edhe e shërbesave për qytetarët! A e dini se në Tropojë nuk u ofrohet më asnjë shërbim për qytetarët e saj?!

Të gjitha këto shërbime janë transferuar në qendrën e qarkut, në Kukës:

-Kontrolli teknik i automjeteve

-Vërtetimet pensioni apo tatimesh dhe vulat për një certifikatë e të tjerë, duhet të shkojnë në Kukës.

Dhe e fundit shkrirja e Gjykatës së Shkallës parë në Tropojë e këtë shërbim për të marrë drejtësi, ata ta marrin në Kukës.

Për të gjitha këto atyre u duhen të bëjnë gati dyqind e ca kilometra rrugë me shumë shpenzime  e sakrifica, ndërkohë që shumë mirë këto shërbime mund t’i marrin në Tropojë, ashtu siç edhe i kanë pas marrë më parë!

Zotërinj qeveritare, nëse nuk e dini po ua kujtoj se Kukësi është më afër me Tiranën se sa me Tropojën!

Thirrini mendjes dhe nëse keni apo u ka mbetur sadopak ndjenjë njerëzore, kthejani që ti marrin këto shërbime tropojanët në rrethim e tyre!

Trajtoni si qytetarë të barabartë të vendit, me respektin e vlerësimin të cilët e meritojnë. Ndryshe nuk u mbetet rrugë tjetër vetëm të shpallin një referendum për tu bashkuar me Kosovën si pjesë e shtetit nga i cili ata sot marrin shumicën e shërbimeve e mallrave!”.