Ish-kryeministri Fatos Nano ka treguar se në vitin 2002 ka bashkëpunuar me Sali Berishën për zgjedhjen me konsensus të Presidentit, që u zgjodh Alfred Moisiu.

I ftuar në emisionin Opinion, Nano u shpreh se në atë periudhë pati një bashkëpunim prej 5 muajsh me Berishën.

Por ish-liderin e demokratëve e konsideron si konfliktual në politikën shqiptare.

Blendi Fevziu: Po roli i tij (Sali Berishës) në politikën shqiptare në përgjithësi, ky është përkufizimi që mund të japësh?

Fatos Nano: Roli i Berishës në politikën shqiptare ka qenë në vlerësimin tim konfliktual. Pra, në periudhën e parë ai pati, krijoi dhe ushtroi autoritetin e marrjes së vendimeve të mëdha, si në drejtim të krijimit të institucioneve të reja demokratike, ashtu dhe në ekonomi. Ndërkohë, po ta ndjekësh me këtë synim, ai ka qenë gjithmonë i përfshirë personalisht në vendime të mëdha. Që do të thotë, i gatuante vendimet e mëdha sipas kuptimit të tij. Më kujtohet një intervistë me BBC që atëherë shfaqej vetëm në TVSH, ku duke folur për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, e shoqëron me gjestin, që e trajtoi atë si një lodër të vetën. Ky ishte koncepti i tij dhe gjithçka mesa duket në kuptimin e tij duhet të kalonte nëpërmjet tij përfshi edhe lënien mënjanë të atyre që e kundërshtonin. Ndërkohë, ai erdhi duke e thelluar sjelljen dhe kuptimin apo veprimet e njeriut të konfliktit, dhe njeriu që ka ngulur konfliktin që edhe sot e kësaj dite nuk po largohet dot nga politika shqiptare, është Sali Berisha. Dhe di vetëm mënyra konfliktuale për të realizuar ambiciet e veta. Është e pamundur të kesh një proces paqësor të shtrirë në kohë për të arritur synime më të mëdha me kosto më të ulëta me Sali Berishën.

Blendi Fevziu: Por ju keni bashkëpunuar me të në momente të caktuara të zgjedhjeve.

Fatos Nano: Ja po të tregoj 2002-ishin. Arritëm të bëjmë një marrëveshje që nisi me zgjedhjen e Moisiut president. Ne kishim gjithë mundësinë për të zgjedhur presidentin. Zhurma që u krijua ishte një zhurmë e tipit Doris Pack, jo më shumë se kaq. Ndërkohë pala që drejtoja unë kishte dhënë prova se ishte e prirur për zgjidhje të konflikteve me marrëveshje. Duhet t’i kujtoj një ngjarje që nuk citohet shumë: Marrëveshja e politikanëve shqiptarë në komunitetin e San Legidios. Unë kam propozuar dhe shkruar në dokument në atë takim, nuk ishte Saliu, që të ngelet normë e sjelljes politike në Shqipëri që Komisionin e Kontrollit të Shtetit do ta marri opozita në çdo rast, që opozita do ketë më shumë se ç’i takon nga vende në Parlament, komisione parlamentare për të drejtuar deri në 1/3 në rast se ka më pak. Të gjitha këto i kam futur unë. I vetmi që nuk e ka zbatuar ka qenë Berisha. Sa herë që ka ardhur Berisha në pushtet ka mbajtur edhe Komisionin e Kontrollit të Shtetit. Dhe me marrëveshjen për zgjedhjen e Presidentit konsensual filloi një periudhë jo më e gjatë se 5 muaj bashkëpunimi aq e çuditshme saqë Berisha më merrte mua në telefon dhe unë e merrja Berishën në telefon. Komunikonim direkt pa sekretare për të arsyetuar. Mbi këtë bazë janë krijuar komisionet hetimore parlamentare. Ishte bashkëpunim shumë i mirë. Situata politike në vend u qetësua mjaft saqë pas intervistës së famshme që bëmë në Opinion, kemi bërë një të dytë në Nëntor te Tv Arbëria.