Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare artisti i merituar Anastas Kristofori. Ndonëse të gjithë e mbajmë mend për rolin e tij në Pallatin 176, si Shoku Perikli, artisti shënon edhe 10 role në kinematografi.

Ishte viti 1998 që kur Anastas Kristofori u shfaq për herë të fundit me një projekt artistik në televizionet e shqiptarëve.

Roli i tij ikonik i drejtorit në “Pallatin 176” vijoi edhe në telefilmin “Po vjen ai” që ishte vazhdimi i kinodramës së pallatit më të njohur të artit shqiptar.

“Besa e kuqe”, “Vendimi”, apo “Misioni përtej detit” janë disa nga rolet e tij në kinematografi, ndërsa numëron dhjetëra karaktere të tjera në skenën teatrale.

U bë i njohur me dramën “Arturo Ui”, por u duartrokit për herë të fundit nga spektatori i Teatrit në vitin 2014, në shfaqjen “Liri në Bremen”.

Artisti i merituar ka zgjedhur që të përcillet në Vuno, fshatin ku edhe lindi. Lamtumira e fundit do t’i jepet nesër.