Ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare poeti dhe shkrimtari Bardhyl Londo, i cili i ka dhënë shumë letrave shqipe.

Krijuesi i qindra vargjeve për dashurinë dhe ndjenjat njerëzore u nda nga jeta këtë të premte. Prej një jave ai ishte shtruar në një nga spitalet e Tiranës për shkak të problemeve shëndetësore.

Lajmin e kanë konfirmuar miq dhe të afërm të tij në rrjetet sociale.

Ai i ka dhënë letërsisë shqipe mbi 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.

Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike.

Bardhyl Londo ka lindur në vitin 1948 në Përmet.

Studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.

Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Kulturës më 2021, ai fitoi vlerësimin për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike.

I japim lamtumirën me poezinë që shkroi për këtë ditë!

E di që shumë vajza më deshën…

E di që shumë vajza më deshën

ca provokuese, ca të heshtura pa zë,

po unë në jetën prej gjysmëmurgu

prej tyre desha vetëm një.

Nuk e di ku janë, s’e di çfarë bëjnë

çarçafi i bardhë herë-herë s’i nxe.

Po unë nën çarçaf shtrihem me kujtimet

dhe e kuptoj që vend tjetër s’ka më.

Tani që hapat e vdekjes i ndjej si afrohen

të heshtura, të zeza një nga një.

Ndonjëra ndonjë lot do derdhë fshehtaz,

vetëm njëra do të qajë me zë.