Mjafton një vështrim i shpejtë mbi deklaratat e përfaqësuesive të partive opozitare, kur pyeten për formulën e bashkëpunimit për 25 Prillin, për të kuptuar sa të papërgatitur i gjeti klima e re, e krijuar nga ndryshimet kushtetuese. Mes opozitës ende nuk kanë një ide si të rikuperohen dëmet e votave, që i sjell ndalimi i koalicioneve.
Është e qartë se kur ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, Edi Rama pati si qëllim çarjen e opozitës. Duke ia pamundësuar me ligj krijimin e një koalicioni të madh, pasojat qenë tek minimizimi i rezultatit në mandate. Kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe reagimi duket i ngathët në anën e opozitës.

E vetmja që nxitoi t’i përshtatet skenës së re politike, është LSI. Nuk vonoi shumë dhe partia “as e vogël, as e madhe”, vendosi të dalë me një listë të sajën, pa llogaritur më aleancën me PD-në. Monika Kryemadhi nuk pati shumë dilema në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” të hënën në mbrëmje. Ajo nxiti më tej konspiracionet kur zbuloi se shembshuria për PS, nuk i ka shterur ende. Kur u pyet për një kontratë parazgjedhore me PD-në, Kryemadhi u përgjigj:

Kryemadhi: Nëse do të kishim një dalje të tillë, do të dëmtohej PS, do të binte nën 40 mandate. Do të krijoheshin disa rrjedha nënujore, nënrrjedha që do ta dëmtonin shumë. A do t’i leverdiste shoqërisë shqiptare rrënimi në përfundim me 5 përqind si PASOK në Greqi. Pavarësisht inateve politike me njëri-tjetrin për momentin ne kemi nevojë për një opozitë, ne pavarësisht ku është katandisur PS, ne do të kishim nevojë për një opozitë të fortë”.

Babaramo: Domethënë ju nuk po e bëni se ju vjen keq për PS?

Kryemadhi: Edhe ne ndonjë dhimbje të vogël e kemi për PS, nuk do e lejmë Ed Ramën ta cojë në 2 përqind.

Në pjesën tjetër të opozitës ekziston një gjendje pritjeje, që vjen nga mospranimi i asaj që shkruhet e zeza mbi të bardhë në kushtetutën e re se në 25 prill nuk do të ketë koalicione. Së fundmi, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ishte i ftuar në A2, kur foli për një situatë, që mund të ketë zgjidhje me rolin e ndërkombëtarëve.

“Nëse marrëveshja e 5 Qershorit qëndron, atëherë Rama nuk mund t’i ndryshojë koalicionet, sepse marrëveshja e 5 Qershorit ështe qartë se sistemi vazhdon të qëndrojë dhe llogaritja e mandateve bëhet në bazë të këtyre koalicioneve. Atëherë, nëse Rama do ta çojë deri në fund atë rrugë që ka nisur me ndryshimet kushtetuese, do t’i prishë koalicionet sepse ky ka qenë qëllimi i tij që në fillim, jo listat e hapura”.

PD është investuar në një proces të detajuar të përzgjedhjes së kandidatëve, që i jep peshë listës së demokratëve. Aleatët e saj tradicionalë për pasojë nuk janë as në qiell, as në tokë. Fatmir Mediu i Republikanëve ende nuk di nëse duhet të përgatitet për një listë të vetën apo ai do të mund të përfshihet në listat e PD, para 25 prillit, por mbetet në pritje.

“Duhet të shikojmë sesi do jetë organizimi elektoral i opozitës në mënyrë që të garantojmë zgjedhje të ndershme dhe mënyrën e organizimit në koalicion apo mënyra të tjera që të maksimalizojmë fitoren” ishin fjalët e tij në një intervistë te Panorama.

Fjalë që e lënë pezull, në pritje të një shansi të fundit se Rama do të tërhiqet. Nard Ndoka po ashtu. Shpreson edhe ai tek tërheqja e Ramës nga bllokimi i koalicioneve.

“Ndryshimet kushtetuese që u miratuan në Kuvend, kanë nevojë që kërkojnë më pas një konsensus për të ecur më tej. Por pjesa e koalicioneve është një kapitull i mbyllur. Nuk ka as hapësira ligjore për ta bërë një gjë të tillë. Aventura ka në çdo moment, por unë gjykoj që opozita duhet të jetë e qartë që nëse Rama do të ndërhyjë për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës, opozita nuk duhet ta pranojë Ramën si organizator të zgjedhjeve dhe si Kryeministër të mëtejshëm” tha Ndoka në prononcimin në të njëjtën ditë me Mediun.

Me hir apo pahir, duket se Rama ia ka dalë të mbjellë paqartësi dhe përçarje në kampin opozitar. Para ndalimit të koalicioneve, bastet ishin se socialistët do ta kishin të pamundur t’i bënin ballë të vetëm Opozitës së Bashkuar.
Që pas 31 korrikut, panorama ndryshoi.

Katër vite më parë, në një garë pa koalicione, socialistët morën 74 mandate. Nëse duket gati e pamundur përsëritja e këtij rezultati, synimi më realist ka gjasë të jetë dalja si parti e parë. Dhe megjithëse Rama nuk ngurroi t’i ndryshojë dhunshëm rregullat në mes të lojës, në shpërfillje edhe të ndërkombëtarëve, nga radhët e opozitës reagimet të kujtojnë fabulën e gomarit që shpresonte të ishte në ëndërr, kur pa ujkun t’i afrohej pranë.